Balotazhi në Kosovë, rrahje e incidente
Kosova kaloi dje me sukses raundin e balotazhit të zgjedhjeve lokale, edhe pse me pjesëmarrje të ulët në votime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin zgjedhor për kryetar të komunave të rregullt. Edhe rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” e ka vlerësuar pozitiv procesin, megjithëse ka pasur disa parregullsi. Pjesëmarrja në balotazhin e së dielës ishte 37.88 për qind nga një milion njerëz që kishin të drejtë vote. Qendrat e votimit u hapën të dielën në 21 komuna të Kosovës në orën 07:00 të mëngjesit dhe nisën të mbyllen në orën 19:00. KQZ-ja ka evidentuar disa incidente të vogla, që, sipas kreut ekzekutiv të saj, Xhemajl Peqani, nuk do të ndikojnë në tërësinë e procesit zgjedhor. Në pjesën veriore të Kosovës, në Mitrovicë, ku në balotazh ishin kandidati i PDK-së dhe ai i AKR-së, nuk janë hapur vendvotime të rregullta, por janë dërguar ekipe të lëvizshme. Edhe në zgjedhjet e 15 nëntorit, në komunat veriore të banuara me shumicë serbe qenë dërguar ekipe të tilla, pasi që nuk ishte lejuar hapja e qendrave të votimit nëpër institucionet publike, siç ndodh në pjesët tjera të Kosovës. Sipas rrjetit të organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, dalja në votime ishte më e ulët sesa më 15 nëntor. Ndër parregullsitë që ka përmendur ky rrjet janë “rrahje të simpatizantëve, duel verbal mes vëzhguesve, votime të dyfishta e familjare”. Sipas Ismet Kryeziut, përfaqësues i rrjetit, “Në komunën e Malishevës, në Lubishtë, kemi rrahje fizike mes simpatizantëve të dy partive politike që garojnë në këtë komunë, në oborrin e qendrës së votimit, dhe me ndërhyrjen e policisë ky rast është izoluar. Përveç këtij rasti, në Prizren kemi dy raste, ku kemi pasur duel verbal me fyerje mes vëzhguesve, deri afër eksesit të rrahjes, por falë ndërhyrjes së policisë, është mënjanuar kjo”, tha Kryeziu. Ai i cilësoi këto si incidentet më të rënda, ndërkaq vuri në pah se edhe gjatë ditës janë përsëritur votimet e dyfishta dhe ato familjare dhe shtoi se do të analizohen edhe më tej këto probleme për të parë nëse do të kenë ndikim në rezultatin e votimit. “Demokracia në Veprim” ka 1,243 vëzhgues në terren. Votimet për balotazh po monitorohen edhe nga vëzhgues të misionit evropian, ENEMO. Në garë për balotazh ishin 17 kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, 12 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, 7 të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, 2 të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, 1 i Aleancës Kosova e Re, 1 kandidat i pavarur dhe 2 kandidatë nga subjektet politike serbe.
Rrihet komisioneri i LDK-së në Lipjan
Një komisioner i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) është sulmuar dje pak pas përfundimit të procesit të balotazhit në një qendër votimi në Lipjan. Ai për shkak të lëndimeve të marra, është dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuarit dhe është duke i marrë në pyetje. Policia nuk ka dhënë informacione se cilit subjekt politik i takojnë personat tashmë të arrestuar.