E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulm Berluskonit, fraktura në gojë dhe hundë

 

Kryeministri italian, 73-vjeçari Silvio Berluskoni, u godit në fytyrë me një mjet të paspecifikuar nga një manifestues në Milano, në një tubim politik, duke u dëmtuar mjaftueshëm sa për të qëndruar në spital nën vëzhgim për 24 orë. Pamjet televizive e treguan Berluskonin pas goditjes të tronditur dhe të gjakosur në fytyrë, pas goditjes së fortë që e hodhi në tokë. Në momentin e sulmit kryeministri italian po jepte autografe për admiruesit dhe mbështetësit e tij politikë. Edhe kësaj radhë, Berluskoni fajësoi opozitën për opinionin e lig të krijuar për të. “Kreu i qeverisë është përshkruar nga opozita si përbindësh. Po unë nuk besoj se jam i tillë, jo vetëm sepse jam i bukur, por edhe i mirë. Kemi menduar se një fushatë nuk do të na hynte në punë sepse kushdo që voton për ne dhe e do lirinë e di të vërtetën, por meqë jetojmë në një epokë keqinformimi total, e menduam edhe një herë”, tha Berluskoni. Ndërkohë që ai mbante fjalimin, është ndërprerë disa herë nga turma të pakënaqura të cilët bërtisnin kundër tij. Sapo ka përfunduar ai ka zbritur në shesh për të dhënë autografe. Edhe pse i rrethuar nga truprojat, nuk është mundur të ndalohet agresioni kundër tij. Por agresori është ndaluar menjëherë pas sulmit. Massimo Tartaglia, rezulton i panjohur në atë zonë. Ai u kap menjëherë dhe u dërgua në polici ku po merret ende në pyetje. Është 42 vjeç dhe prej 10 vitesh kurohej për probleme mendore. Humbje e konsiderueshme e gjakut dhe lëndim i brendshëm dhe i jashtëm i buzës, si dhe dy dhëmbë të thyer, njëri me frakturë të rëndë. Kjo ishte diagnoza e parë nga mjekët për kryeministrin italian të shtruar në spitalin “San Raffaele” në Milano menjëherë pas agresionit. Më pas u tha se Berluskoni ka edhe fraktura në kockën e hundës. Mjekët kanë vendosur ta mbajnë në mbikëqyrje për 24 orë. Pozita dhe opozita në përgjithësi e kanë dënuar aktin e dhunës. Fjalët më të rënda kanë qenë nga bashkëpunëtorët e Berluskonit, të cilët e kanë quajtur aktin vepër të fashistëve të vërtetë. Ndërsa njëkohësisht kanë akuzuar opozitën, se gjithçka ka ndodhur për shkak të fushatës së urrejtjes që ata kanë mbjellë kundër kryeministrit. Nga opozita ka folur Antonio Di Pietro, i cili tha se është kundër dhunës, por Berluskoni e ka nxitur atë. Menjëherë kundër tij ka reaguar presidenti i Dhomës Përfaqësuese, Gianfranco Fini, i cili i ka dënuar fjalët e tij duke u shprehur se asnjë lloj akti dhune nuk është i justifikueshëm. Ndërsa Umberto Bossi i “Lega Nord” e ka cilësuar aktin si vepër terroriste.

Solidariteti i Schifani-t
Presidenti i Senatit, Renato Schifani, ka shprehur solidaritet të thellë me Presidentin e Këshillit italian, Silvio Berluskoni duke dënuar rëndë agresionin kundër tij dhe duke e vlerësuar atë si të papranueshëm. Edhe liderë të tjerë politikë nga pozita dhe opozita janë bashkuar kundër gjestit të dhunës ndaj Berluskonit.

Napolitano e Prodi: Të dënohet
Ish-kryeministri italian, Romano Prodi dhe presidenti aktual,  Giorgio Napolitano kanë shprehur qëndrim të prerë kundër agresorit dhe gjestit ndaj Berluskonit duke e dënuar rëndë atë.  “Shpreh dënimin tim të prerë për gjestin e shëmtuar të agresorit dhe e siguroj Presidentin e Këshillit që ka solidaritetin tim personal”, është shprehur presidenti Napolitano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›