Dy lagje të mbuluara nga ujërat e zeza
BERAT – Lagjet “Çlirim” e “Barrikadë” në Berat mes ujërave të zeza. Rreth 200 familje të këtyre dy lagjeve kanë prej kohësh probleme me gropat e krijuara përreth apartamenteve të tyre. Çarja prej më shumë se 6-muajsh e kolektorit të ujërave të zeza, i cili bashkohet në këtë zonë edhe me ujërat e bardha e prurjet e reshjeve ka bërë që banorët të përballen çdo ditë me këtë situatë. Banorët shprehen se kjo gjendje e krijuar po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën në këto lagje, pasi ata duhet të përballen jo vetëm me baltën dhe ujërat, por edhe me frikën e përhapjes së ndonjë epidemie të mundshme si rezultat i ndotjes. Ndonëse kanë vetëm një distancë prej 200 metër deri në rrugën nacionale, këmbësorët kalojnë një sërë mundimesh derisa arrijnë aty. Problemet më të mëdha krijohen në kohën e reshjeve të shiut, duke e bërë të pamundur daljen nga pallatet të banorëve, veçanërisht të fëmijëve që shkojnë në shkollë. Nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve pohohet se situata vjen si pasojë e çarjeve të tubacioneve, por mungesa e fondeve e lë problemin të pazgjidhur. d.xh