E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaluan mall kontrabandë në kufi, 2 doganierë në kërkim

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Dy doganierë të Gjirokastrës u shpallën në kërkim nga ana e policisë, pasi lejuan kalimin e një mauneje me mall kontrabandë. Bilanci flet për një sasi të konsiderueshme mallrash, kryesisht ushqimore të sekuestruara nga organet policore, ndërsa është arrestuar dhe shoferi i maunes me të cilën transportoheshin. Burimet zyrtare policore rajonale pohuan se specialistët e Sektorit Kundër krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë bllokuar në afërsi të Tepelenës maunen me targa të Tiranës. Ndalimi i rrugëtimit të maunes tip VOLVO nga Kakavija në Tiranë ka ndodhur pasi organet policore kishin marrë të dhëna se mjeti transportonte mallra ushqimore kontrabandë. Veprimi i parë i policisë ka qenë shoqërimi fillestar për në ambientet e Doganës së Kakavijës të shoferit Renato Tushe, 43 vjeç nga Gjirokastra për të verifikuar dokumentacionin e zhdoganimit të mallit që ai transportonte. Forcat e policisë kryen të gjitha verifikimet dhe ballafaquan praktikat që mbante me vete drejtuesi i mjetit, me atë që ndodhej në sistemin elektronik në Doganën e Kakavijës. Praktika shoqëruese e mallit që dispononte Tushe, rezultoi e falsifikuar pasi në sistemin elektronik në Doganën e Kakavijës nuk ishte hedhur asnjë e dhënë që tregonte se automjeti tip VOLVO, të ketë zhdoganuar mallrat në brendësi të tij. Pasi u kryen verifikimet në sistemin kontrollues TIMS në Policinë Kufitare të Kakavijës, rezultoi se maunia kishte hyrë nga Greqia në doganën shqiptare të Kakavijës dy ditë më parë rreth orës 16:40. Njëkohësishtm pjesë e objekteve verifikuese, kanë qenë edhe kamerat e instaluara në doganën Shqiptare të Kakavijës muajt e fundit, ku nuk ekzistonin imazhe të kontrollit të automjetit me mallra ushqimorë kontrabandë. Imazhet tregonin vetëm kalimin e saj pa u ndaluar më parë nga oficerët e doganës duke u larguar kështu pa kryer më parë zhdoganimin e mallit. Nga kontrolli i ushtruar në kamion rezultoi se në brendësi të trajlerit u gjendën mallra ushqimorë si majonezë, pije të ndryshme freskuese, vajra bimorë, oriz, konserva, detergjent për larje rrobash, etj. Mallrat kontrabandë kapnin një vlerë mbi 10 milionë lekë, ndërkohë që nuk është përllogaritur dëmi financiar shkaktuar shtetit. Uniformat blu nuk kanë mundur dot të arrestonin dy doganierët e turnit, të cilët janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›