Përplasje në Këshillin Bashkiak
KUÇOVE – Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Kuçovës bllokojnë miratimin e buxhetit të vitit 2010. E vetmja pikë që gjeti mbështetje ka qenë ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Por, pas kësaj këshilltarët e djathtë e kanë bojkotuar fare mbledhjen. Prej kohësh në Këshillin Bashkiak po ndodh përplasja mes dy palëve, të majtëve dhe të djathtëve, pas kalimin dhe të LSI-së në krah të këshilltarëve të PD-së. Këshilltarët socialistë reaguan, duke u shprehur se të djathtët kërkojnë që të marrin kryetarin e Këshillit Bashkiak, sekretarin si dhe anëtarin e këshillit të qarkut, vend ky që mbahet vakant prej kohësh. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se ky bojkot ka vështirësuar shumë gjendjen, pasi këshilltarët e majtë nuk plotësojnë dot numrin e anëtarëve të këshillit që të aprovojnë paketën fiskale. Sipas tyre po pritet data 20 dhjetor, si shpresë për të mbledhur Këshillin Bashkiak me qëllim aprovimin e buxhetit. Anëtarët e këshillit të djathtë kërkojnë ndryshimin e kryetarit, i cili i përket Partisë Socialiste dhe të zëvendësohet me një anëtar të djathtë. Nga burime të brendshme mësohet se këshilltarët e djathtë, të cilët tashmë kanë një më tepër në krahasim me të majtët kërkojnë dhe largimin e sekretarit të bashkisë, post që mbahet aktualisht po nga një përfaqësues i PS-së. Prej 6 muajsh ka mbetur vakant dhe vendi i anëtarit të Këshillit të Qarkut. d.xh