E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare: Shqipëria zotëronte artin e prishjeve diplomatike

 

Flet për politikën, por preferon të mos merret me të e të qëndrojë në atë botë paralele, që është letërsia. Pasi ka botuar në Francë të romanin e tij “Darka e gabuar” (Fayard) dhe ka në proces përkthimi romanin e tij më të ri, “E penguara”, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare i përgjigjet disa pyetjeve të gazetarëve francezë mbi jetën e tij dhe krijimtarinë. Flet për diktaturën, politikën, letërsinë dhe Nobelin.
Në romanin tuaj të fundit ju përqeshni diktaturat e të gjitha llojeve, osmane, fashiste e komuniste, që kanë kaluar në Shqipëri. Historia shqiptare, thoni ju, është gati një palaçollëk, tragjik por grotesk.
E vërtetë. Shqipëria ka qenë nga thyerja në thyerje, dramatike dhe groteske në të njëjtën kohë. Ne kemi zotëruar artin e prishjes marrëdhënieve diplomatike. Me Anglinë, vendet e Perëndimit, Bashkimin Sovjetik, Kinën...
Ju që keni qenë shpesh censuruar nën Shqipërisë komuniste, besoni ende se politika mund tu bëjë mirë njerëzve?
Ndonjëherë po. Ajo ndryshon çdo javë. Çdo gjë që ndodh në botë nuk është domosdoshmërisht e keqe. Por është e vështirë të kemi perspektivën e nevojshme për të parë qartë. Kjo është arsyeja pse letërsia është e nevojshme, jo vetëm për shkak se ajo ndriçon gjërat, por edhe sepse kjo i bën më misterioze. Ne kemi nevojë për këtë errësirë ndonjëherë, për të mos qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me një të vërtetë shumë mizore.
Të kthehemi tek aktualiteti, ç’mendoni për politikën botërore, për fenomenin Obama...
Thua t’ia kem dorëzuar veten Obamamanisë? Në të vërtetë jo. Në Ballkan, që ka qenë skena e konflikteve mizore, ka një farë lodhjeje. Është një rajon shumë i ashpër, autoritar, mizor dhe epik. Dhe Evropa nuk e ka arritur këtë rajon. Ne vuajnë pavendosmërinë e vazhdueshme ndaj nesh. Është një politikë shpesh kontradiktore, palogjikshme. Vendet perëndimore duan që ne të jemi në Evropë, por pastaj jo. Kjo krijon në gadishullin, që është në një gjendje shumë shqetësuese, një lodhje të demokracisë. Njerëzit duan diçka të qartë dhe të vendosur, jo të turbullt. Për sa më përket, e di se politika është e vështirë. Është e lehtë për të kritikuar, falas madje. Por është edhe e kuptueshme të shohësh popujt e Ballkanit të preferojnë në afat të gjatë, qeveritë që marrin vendime të vështira.
Nuk jeni joshur ndonjëherë të merreni me politikë?
Më kanë propozuar disa herë që të bëhem president. Sepse unë jam një shkrimtar i njohur. Por politika është një botë paralele që nuk është e imja. Letërsia është një univers në vetvete, i cili ka ligjet e veta. Sigurisht, ka pasur shembuj të shkrimtarëve që kanë luajtur një rol në politikat e vendeve të tyre, si Vaclav Havel. Por unë nuk mendoj se Havel do të mund të drejtonte në Greqi, apo Serbi, apo Shqipëri ose Malin e Zi, që janë vende problematike.
Gjatë diktaturës staliniste, ju jeni detyruar shpesh të heshtni. Si praktikohej kjo në censurë?
Nëse jeni një shkrimtar i njohur, jeni armik. Dhe me thënë të drejtën, kjo nuk ishte për arsye politike. Por për shkak se jeni mjeshtër në mbretërinë tuaj, që është ajo e letërsisë - që nuk është e pranueshme për një regjim autoritar. Ju jeni një kundër-pushtet që duhet të shkatërrohet. Ose ju do të shkatërronit veten, autoritetin tuaj, duke u bërë një shkrimtar qesharak, që të mund të pranoheshit. Ose ju do të vazhdonit, dhe do t’ju flaknin. Dhe kjo nuk është një deklaratë që mund t’ju shpëtojë. Shteti nuk ju beson. Çfarë ju duhet të bëni për katër apo pesë vjet, do t’ju shkatërrojë. Kjo tregon se shteti nuk ka frikë. Kjo është arsyeja pse nuk ka disidentë nën stalinizëm. Kjo është një ëndërr. Kjo nuk ka ekzistuar. Ajo është thjesht e pamundur. Disidenca fillon kur shfaqet çarja e parë, shenja e parë e lirisë.
Disa shkrimtarë të mëdhenj kanë qenë më të frymëzuar, kur ishin të privuar nga liria e tyre, se sa kur kaluan në Perëndim, dhe mundnin të thoshin gjithçka. Të shkruarit tuaj është prekur nga ndryshimi i regjimit?
E vërteta është se unë nuk kam jetuar nën censurë, pastaj në liri. Kam jetuar njëkohësisht censurën dhe lirinë. Kisha jetën time në Shqipërinë staliniste dhe kam pasur një tjetër jetë në Perëndim. Unë u botova në Francë në vitin 1970. Kam kaluar njëzet vjet nën diktaturën, duke qenë i vlerësuar nga ana tjetër. Ky pozicion ishte absurd, i papranueshëm për regjimin. Ishte një fenomen shumë i rrallë. Kështu që në atë kohë, unë mund të dija fatin tim të ardhshëm, si në një pasqyrë magjike, e cila ishte ajo e shkrimtarit që ishte tashmë në Perëndim. Unë pashë se si do të konsiderohesha pas rënies së komunizmit. Sepse unë e dija që komunizmi do të binte. Unë nuk e dija kur, por e dija që ditët e tij ishin të numëruara. Në Francë, në Londër, Shtetet e Bashkuara, Japoni, librat e mi ishin të njohur: kjo ishte jeta ime e dytë! Saktësisht sikur të shihja se çfarë do të ndodhte pas vdekjes sime. Përveç se ajo ishte jeta ime që e pashë pas vdekjes së regjimit. Sa për pyetjen që ju më bëni, ajo më ka prekur dukshëm. A është ajo që unë shkruaj më mirë apo më e keqe, pas rënies së regjimit? Këtë, unë nuk e di. Në fakt, ishte një alternativë, të cilën unë nuk e kisha menduar: se ishte të shkruarit si i tillë. Dhe kjo është ajo që më ka ndodhur. Unë shkruaj në të njëjtën mënyrë. Librat e mia nuk janë as më të mirë, as më të këqij. Janë thjesht librat e mi.
Mund të thuhet se dini më shumë për letërsinë sot, se në fillim të karrierës?
Në letërsi, ka kaq shumë mistere që shkrimtarët nuk i kanë zbuluar ende. Mundësitë janë të mëdha. Shkrimtarët i afrohen kufijve të së padukshmes, por ndalen përpara se ta prekin. Truri njerëzor është krijuar në mënyrë të tillë, që nuk të lejon të shkosh më larg. Ai përballet me të vërtetën përfundimtare.
Një e vërtetë së cilës feja i qaset?
Jo, letërsia është përtej fesë. Është akoma më e thellë, më e ndërlikuar. Ne jemi përpara pengesash që askush nuk i ka ngritur. Presioni i padukshëm, por akoma më i tmerrshëm se censura, është mungesa e talentit, aftësisë, që të lejon t’i afrohesh së vërtetës përfundimtare. Unë kam një tjetër roman që është duke u përkthyer në frëngjisht, i cili merret me këtë zbulim të pamundur.
Ju prekni aty mitet themelore të njerëzimit?
Po. Është ai i Orfeut, për shembull, që është shumë i errët. Orfeu bëri një ndryshim në kanonet e muzikës. Para tij, ka pasur shtatë korda, shtatë Muza. Ai shtoi dy korda, pra nëntë. Ky ndryshim u pranua nga Apolloni. Ka pasur një diskutim mbi këtë. Por çka ishte në rrezik në këtë ndryshim? Çfarë ishte e rrezikshme në shtimin e dy telave të tjerë? Ne nuk e dimë. Kjo i takon letërsisë të kërkojë për të kuptuar.
Botuesi Claude Durand, i cili sot është tërhequr pjesërisht sot, do të thotë shumë për ju ...
Po. Është botuesi im gati i përhershëm. Ai dikur ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në jetën time. Ishte ai që erdhi dy herë në Shqipëri për të nxjerrë dorëshkrimet nga Shqipëria. Kjo ka ndryshuar ekzistencën time.
Nuk jeni të lodhur duke qenë gjithnjë në listën e Çmimit Nobel, pa arritur ta merrni atë?
U bënë tridhjetë vjet që dëgjoj për Nobelin. Nobel, apo jo, kjo më intereson. Është e vërtetë. Unë e vlerësoj festën Çmimit Nobel. Jam njëkohësisht i habitur të shoh se është bërë planetare. Një çmim letrar i kësaj rëndësie... është bukur. Fakti që njerëzimi i bën një homazh të tillë një shkrimtari më duket shumë i madh. Po, është bukur, si koncerti në Vjenë në ditën e Vitit të Ri.
Marrë nga “Noubel OBS.com”

“Darka” në frëngjisht
Titulli: “Le diner de trop” (“Darka e gabuar”)
Autor: Ismail Kadare.
Përkthyer nga shqipja nga Tedi Papavrami
Shtëpia Botuese: “Fayard”
Faqe: 250
Çmimi: 17,90 euro

“E penguara”
Një muaj më parë Ismail Kadare i prezantoi lexuesit romanin e tij më të ri, “E penguara. Rekuiem për Linda B”. Një botim i shtëpisë botuese “Onufri”. Kushton 700 lekë. Libri, i cili është në proces përkthimi edhe në gjuhën frënge është një homazh për të gjitha femrat shqiptare, që vuajtën dënimin me internim nga diktatura komuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›