Baloteli, jashtë ekipit. Raiola: Zgjedhje teknike
Gjatë pasdites së djeshme, Interi ka zbarkuar në Londër pa Mario Balotelin. Sulmuesi nuk është grumbulluar në skuadër nga Zhoze Murinjo, për sfidën e kthimit kundër çelsit, të vlefshme për 1/8 e Champions League. Fillimisht u mendua se kjo zgjedhje u ndikua nga problemi në gju. Megjithatë, me kalimin e orëve, u zbulua se situata ishte krejt e ndryshme: fakti që Baloteli nuk do të jetë i pranishëm në “Stemford Brixh” ishte një zgjedhje teknike. Dyshimet e para lindën pas deklaratës së shkurtër të presidentit Masimo Morati: “Baloteli jashtë skuadrës? Ende nuk jam informuar, por kjo do të më habiste”. Më pas, ishte menaxheri i sulmuesit, Mino Raiola, ai që sqaroi arsyet e “përjashtimit”: “Mario është i hidhëruar, i trishtuar dhe i zhgënjyer që nuk do të jetë në gjendje të luajë në një ndeshje kaq të rëndësishme”, tha ai për agjencinë, “Ansa”. “Sot (dje), ndërmjet Murinjos dhe Balotelit nuk pati asnjë përplasje dhe lojtari nuk ka asnjë problem fizik, i cili nuk e lejon të luajë. U paraqit në Apiano për t’u stërvitur dhe më pas e njoftuan se nuk do të udhëtonte me skuadrën drejt Londrës”. Krisja ndërmjet trajnerit dhe 19-vjeçarit është e dukshme. “Për mua do të ishte shumë më e lehtë që të shkatërroja gjithçka, shpjegoi Raiola, por mendoj se më parë duhet të ndryshojë tonet, me të cilat palët po ballafaqohen me situatën e krijuar: për të mirën e lojtarit, duhet të punojmë për përmirësimin e marrëdhënies me Murinjon. Në mënyrë absolute, Mario duhet të respektojë zgjedhjet e trajnerit, edhe pse nuk është dakord me ato”.
#