Raul, lamtumira mes lotëve: Reali, shtëpia ime
“Reali i Madridit ka qenë për mua shtëpia ime, dhe që sot (dje) nis misioni i vështirë për të qenë po kaq i lumtur sa kam qenë këtu”. Këto fjalë ka përdorur ish-sulmuesi i Realit të Madridit, Raul Gonzalez Blanko, për të përshëndetur dje fansat dhe drejtuesit e klubit “balanco” para nisjes së tij për te Shalke. Në një ditë të përkufizuar “të vështirë dhe të trishtueshme”, ish-kapiteni i Realit ka dashur të përshëndesë “të gjithë presidentët, shokët, bashkëpunëtorët, trajnerët, rivalët, shtypin”, para se të përmendte “njerëzit e mi dhe miliona tifozët e Real Madridit”, të cilët e kanë mbështetur gjatë këtyre viteve dhe e kanë bërë të ndihej në shtëpi, “mbi të gjitha në Santiago Bernabeu. Do të jem gjithmonë në dispozicion, për çfarëdolloj gjëje”, ka përfunduar futbollisti, i cili ikën me rekordin e paraqitjeve (741 ndeshje) dhe të golave (323) me bluzën e bardhë. Pasi ka lexuar letrën e diskutimit të tij të lamtumirës, sulmuesi ka zbritur në fushë dhe është drejtuar i përlotur drejt qindra tifozëve, të cilët e prisnin duke thirrur në korr emrin e tij. Raul ka firmosur shumë bluza dhe libra para se të ndahej me tifozët e tij, me të cilët ka shkëmbyer puthje dhe falënderime emocionuese. “Besoj se Murinjo është një trajner i madh dhe (blerja e tij) ka qenë shumë e goditur”. Flamuri i madrilenëve ka siguruar se ardhja e portugezit e ka bërë më të vështirë largimin e tij, sepse Murinjo i “ka pëlqyer gjithnjë” dhe shokët, që e kanë pasur si trajner, kanë thënë gjëra të mrekullueshme për të. Përveç të tjerave, Raul ka shtuar: “Unë kisha dëshirë të stërvitesha me të dhe Mou më ka thënë se donte të më stërviste dhe të më shikonte, por rrethanat ishin ato që vendosën”. Për sulmuesin, vendimi për t’u larguar “nuk varej nga fakti se erdhi një trajner tjetër, apo se Murinjo ma donte më pak të mirën, por është marrë në ‘familje’, duke parë që vitin e kaluar kam luajtur shumë pak”.
#