E Diel, 1 Nëntor 2026

Baloteli te Siti, me rastin e 20-vjetorit



Mario Baloteli dje ka festuar 20-vje torin e lindjes, një datë e shënuar në jetën e tij, e cila shoqërohet edhe me transferimin te Mançester Siti. Kjo ka qenë të paktën dhurata që menaxheri Mino Raiola i ka bërë klientit të tij. Ashtu siç pritej, tratativa është mbyllur me sukses, pas një mbledhjeje të kryer dje në selinë e Interit mes Raiolës dhe drejtorit teknik, Marko Branka, e cila zgjati gati katër orë. Por në fund, zikaltrit janë dorëzuar dhe kanë pranuar ofertën e Sitit. Sidoqoftë, këtu nuk mund të mohohet puna e mirë e menaxherit të Balotelit, i cili këtë herë ka ndihmuar klubin e Masimo Moratit, duke e rritur ofertën e Sitit nga 26 në 28 milionë euro. Për momentin mungon vetëm shifra që klubi kampion Italie dhe Evrope do të përfitojë në rast të arritjes së objektivave nga Mançester Siti. Nga ana tjetër, përveç Mino Raiolës, një presion të madh ka ushtruar nga Mançesteri edhe trajneri italian, Roberto Mançini, i cili e do sa më shpejt në skuadër 20-vjeçarin e talentuar, pse jo, për ta hedhur në fushë që në ndeshjen e parë të Premier Ligës më 14 gusht, ndonëse një hipotezë e tillë duket disi e vështirë. Por përsa i përket anës financiare që lidhet me lojtarin, mësohet se Mario Baloteli do të firmosë një kontratë pesëvjeçare me klubin e drejtuar nga Sheiku Al-Mubarak, nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon. Kjo shifër është plot 2 milionë euro më e lartë sesa ajo që talenti italian përfitonte tek Interi, nga kontrata e firmosur dy vite më parë me presidentin Masimo Morati. Mbase, tani edhe ky i fundit do të jetë disi më i qetë dhe i lumtur në lidhje me mbylljen e kësaj marrëveshjeje, e cila pritet t'i hapë rrugë merkatos së Interit.
Mino Raiola
Menaxheri i Balotelit, që kujtojmë se është gjithashtu ai i Ibrahimoviçit, ka arritur edhe njëherë tjetër të mbyllë një marrëveshje të madhe, bombastike. Por ndërkohë, Mino Raiola shpjegon në detaje të gjitha lëvizjet e radhës. "Zyrtarisht ende asgjë nuk është mbyllur, përderisa nuk është firmosur asgjë. Gjithsesi, gjithçka ka marrë fund përsa i përket detajeve ekonomike mes klubeve dhe lojtarit. Duke qenë se drejtuesit e të dyja palëve kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë kjo është diçka shumë pozitive në mbylljen me sukses të një tratative merkatoje. Megjithatë, sot do të fluturojmë së bashku me Balotelin në Mançester për të mbyllur edhe detajet e fundit. Vetëm më pas mund të bëjmë prezantimin zyrtar. Unë dhe klienti im jemi shumë të qetë, pavarësisht se për momentin mungon vetëm shifra e bonuseve që Interi do përfitojë nga Siti në rast arritjeje objektivash".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›