E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalke përçan tratativën për Diegon



“Ankandi” për Diegon ka filluar. Kur fantazisti brazilian i Juventusit dukej se tashmë kishte nënshkruar një marrëveshje me skuadrën e Volfsburgut, dje në Torino kanë mbërritur drejtues të Shalke 04-ës, të cilët duket të kenë fituar për momentin konkurrencën me rivalët e tyre në Bundesligë. Skuadra e Gelsenkirshes, pasi fillimisht kishte barazuar ofertën prej 17 milionë eurosh të bërë dy ditë më parë nga Volfsburgu, në orët e pasdites së djeshme ka vendosur ta çojë në 18 milionë euro ofertën, duke kaluar kështu në avantazh ndaj ish-kampionëve gjermanë në 2009-ën për blerjen e shërbimeve të Diegos. Këto sinjale janë shumë pozitive për klubin e Juventusit, i cili ende nuk ka dhënë një përgjigje, sepse në orët e ardhshme pret një sulm të radhës nga Volfsburgu, me shpresën që oferta për brazilianin të rritet edhe më shumë. Por dje, për median gjermane, vetë trajneri i Shalke 04-ës, Feliks Magat, e ka pranuar se është shumë i interesuar për juventinin. Sipas teknikut gjerman, vetëm braziliani mund të jetë ai futbollist që mund të rrisë nivelin e lojës së Shalkes, për të rivalizuar denjësisht me Bajernin e Mynihut për titull në këtë sezon.
Feliks Magat - “Po, e pranoj se jemi vënë në kërkim të një mesfushori me cilësi organizative të lojës, i cili për më shumë duhet të rrisë nivelin tonë në fushë. Dhe është po aq i vërtetë fakti se futbollisti që na pëlqen është Diego. Braziliani ka karakteristikat ideale për t’u ambientuar dhe për të ndihmuar pjesën tjetër të grupit tim të lojtarëve. Një tjetër fakt që na shtyu drejt Diegos është edhe eksperienca e tij e shkëlqyer në Bundesligës me Verderin, ndaj mendoj se vetëm nëse arrijmë të blejmë atë, këtë sezon mund të rivalizojmë me Bajernin e Mynihut për titull. Përveç vlerës së kartonit të Diegos, e dimë që ai përfiton edhe një pagë relativisht të lartë, për ato çfarë paguajmë aktualisht në skuadër. Por bordi drejtues më ka premtuar se do të jetë i gatshëm të bëjë një sakrificë ekonomike për një lojtar të kalibrit të Diegos, ndaj këtë tratativë po e ndjekim me shumë interes. Shpresojmë që në ditët e ardhshme të arrijmë ta mbyllim me sukses këtë marrëveshje, edhe pse e dimë që për momentin edhe Volfsburgu është hedhur bindshëm në sulm”, deklaroi trajneri i Shalke 04, Feliks Magat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›