E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati përjashtimi për "rebelet" kuqezi



Vendimi i marrë për të mos udhëtuar në transfertën boshnjake, e vlefshme për eliminatoren e tretë të EuroBasket 2011, pritet t'u kushtojë shtrenjtë basketbollisteve të Kombëtares shqiptare Migena Plasa, Artemida Myrto dhe Anxhela Demiraj. "Rebelimi" në këto evente sanksionon përjashtim nga një vit deri përgjithmonë nga aktivitetet e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e shkruar e zezë mbi të bardhë në "Rregulloren e Disiplinës dhe Sanksioneve financiare" të FSHB-së. Shprehimisht në nenin 6-të, pika 3 thuhet: "Refuzimi nga ana e lojtarëve, trajnerëve për përfaqësimin në ekipet kombëtare. Dënim 1 vit deri përgjithmonë përjashtim nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare". Ndërsa në nenin 9, pika 1, (mospërgjigjja ndaj thirrjes në ekipet kombëtare) thuhet: "Nëse një lojtar apo trajner, anëtar i ekipit kombëtar, nuk i përgjigjet kërkesës së bërë nga FSHB-ja për t'iu bashkuar ekipit kombëtar të një niveli të caktuar, ose thyen disiplinën e ekipit kombëtar, përjashtohet nga një vit deri përgjithmonë nga aktivitetet e FSHB-së". I kontaktuar në linjë telefonike nga "Panorama Sport", sekretari i përgjithshëm i federatës, Korab Llazani, ndërsa konfirmon mungesën e lojtareve në Bosnjë, theksoi se paraprakisht organet drejtuese do të marrin në analizë relacionin e stafit teknik dhe më pas do të merret vendimi për penalitet apo jo ndaj tyre. Në mbrëmjen e 11 gushtit, Kombëtarja shqiptare e basketbollit humbi me rezultatin e thellë 48-99, takim i luajtur në Novi Grad. Humbja me Bosnjën ishte e treta në këto eliminatore për skuadrën e drejtuar nga trajnerja Fiorentina Mitku. Të dielën, Shqipëria do të luajë sfidën e katërt në grupin B, Divizioni B ndaj Zvicrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›