Dzeko: Dua vetëm Juven,Volfsburgu po më burgos
Edin Dzeko e ka përsëritur në çdo rast që i është dhënë mundësia, se kërkon të luajë në Itali duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Por ankesat e sulmuesit boshnjak janë injoruar deri tani nga Volfsburgu. Pikërisht ky fakt e ka shtyrë 24-vjeçarin që të tregojë realitetin se çka po përjeton në klubin e sponsorizuar nga gjigandi i konstruktorëve gjermanë automobilistikë, “Volksvagen”. “Jam shumë i nervozuar me Volfsburgun, - deklaron Edin Dzeko për ‘SportBild’. – Drejtuesit e klubit nuk po i respektojnë premtimet që më bënë në sezonin e kaluar, gjatë fillimit të fazës përgatitore. Vjet m’u kërkua që të qëndroja edhe për një vit. Në rast se Milani do të vazhdonte të ishte i interesuar për mua, këtë verë do të isha larguar. Megjithatë edhe gjatë kësaj merkatoje, kuqezinjtë erdhën të bisedonin me mua, por ata nuk kanë qenë të vetmit që këmbëngulën për shërbimet e mia. Klubi që më ka bërë me të vërtetë përshtypje është Juventusi, pasi beson verbërisht në aftësitë e mia. Por çdo ofertë e bardhezinjve, të cilat kanë qenë tepër serioze, është refuzuar nga drejtuesit e skuadrës sime. Motivi i këtyre refuzimeve? Menaxheri i Volfsburgut, Diter Hënes, më ka theksuar se marrëveshja verbale që bëmë bashkë në sezonin e kaluar nuk është më e vlefshme, ndaj mua më duhet të qëndroj si i burgosur në këtë skuadër. Tani nuk e di më se çfarë të mendoj për të ardhmen time, - vazhdon deklaratën e tij Dzeko. – Ndihem mjaft i lodhur së luajturi në Bundesligë, sepse dëshira ime është të vazhdoj karrierën në Serinë A, në një skuadër të madhe si Juventusi, ku do të kisha mundësinë të fitoja tituj të rëndësishëm. Klauzola ime prej 40 milionë eurosh nuk do të përbëjë një pengesë të madhe që unë të transferohem, sepse menaxheri im më ka konfirmuar se deri tani kanë ardhur shumë oferta të afërta me atë shifër, por është Volfsburgu që nuk pranon të më lërë të vazhdoj ëndrrën time. Nuk e di, por realisht ndihem i burgosur në këtë klub, edhe pse nuk dua të bëhem pesimist. Sidoqoftë, unë vazhdoj të ëndërroj se brenda 31 gushtit, datë e mbylljes së merkatos, unë do të jem bashkuar me Juventusin. Të tjera skuadra të mëdha që janë interesuar për mua? Përveç Mançester Sitit për të cilin është përfolur shumë, në orët e fundit ka qenë edhe Bajerni i Mynihut, por ëndrra ime, e ritheksoj, është Juventusi dhe Seria A”, përfundon boshnjaku Edin Dzeko.