Roma, dy blerje për ta quajtur të mbyllur merkaton
Skuadra e Romës vazhdon të qëndrojë e palëvizur në merkato, nisur edhe nga fakti se disa prej lojtarëve të nxjerrë në shitje nga klubi nuk i pranojnë ofertat e ardhura në adresë të tyre. Duke filluar nga Baptista e deri te Sisinjo, të gjithë këta janë gati të pranojnë pankinën, kundrejt faktit për të luajtur në një kampionat si ai grek apo turk, prej nga ku janë kryesisht ofertat për disa nga kampionët e perënduar të skuadrës së Klaudio Ranierit. Gjithsesi, sa për të kujtuar, Roma dhe drejtuesit e saj kanë ende 18 ditë kohë për të mbyllur me sukses blerjet e fiksuara, ose përndryshe, skuadra do të jetë kjo aktualja dhe vështirë se mund të vijë një rritje e cilësisë së lojës. Për momentin, duke përjashtuar këtu synimin primar që është mbrojtësi argjentinas Nikolas Burdiso, dy objektivat e radhës të Romës janë mbrojtës-mesfushori Valon Behrami dhe një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes, ku aktualisht pozicionohet John-Arne Rise. Për këtë rol është përmendur shpesh ditët e fundit emri i Masimo Gobit, futbollistit të lënë të lirë nga Fiorentina, i cili shihet si një alternativë e mirë në kryeqytet, për më tepër që do vinte me parametër zero. Ndërkohë, përsa i përket Valon Behramit, tratativa mes Romës dhe Uest Hemit është frenuar, pasi klubi italian nuk po arrin të arkëtojë të paktën 6 milionë eurot që duhen për kartonin e kosovaro-zviceranit, nga shitja e të padëshiruarve të Ranierit. Gjithsesi, të paktën sa mësohet nga Roma, Valon Behrami, me apo pa shitur ndonjë lojtar, do të vishet verdhekuq në sezonin e ardhshëm, pasi klubi do të sakrifikojë 6 milionë eurot që kërkon Uest Hemi.