Lëv: Ka ende vend për korrigjime
Trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, ka regjistruar barazimin e tij të nëntë në krye të pankinës gjermane. Megjithëse Gjermania ishte në avantazhin e dy golave në miqësoren kundër Danimarkës, 50-vjeçari Joakim Lëv arriti të thyejë tabunë e dy humbjeve të fundit të Gjermanisë kundër Kombëtares daneze. Në një intervistë për uebsajtin e Federatës Gjermane, trajneri i tri herë kampionëve të Botës ka analizuar me vëmendje 15 lojtarët e tij që u aktivizuan në eksperimentin e stadiumit të Kopenhagenit. 50-vjeçari gjerman, Joakim Lëv, nuk jep asnjë garanci për talentet që spikatën në këtë ndeshje, si dhe vazhdon të ketë të hapur çështjen e titullarit të portës, si dhe të kapitenit të ardhshëm. Këshilla e tij ka qenë se përvoja e Botërorit duhet t'i ndihmojë shumë psikologjikisht.
Z.Lëv, çfarë shpjegimi mund t'i jepni rezultatit 2-2 kundër Danimarkës?
Ishte një ndeshje e organizuar shumë herët, por megjithatë me formacionin e ri zhvilluam një lojë tepër cilësore. Duke marrë parasysh edhe situatën, pasi lojtarët kishin pak ditë që stërviteshin dhe disa prej tyre erdhën direkt nga pushimet verore, nga pikëpamja e përgjithshme treguam nivel të lartë loje, pavarësisht përmbysjes së avantazhit tonë të dy golave. Ishte një ndeshje që la vend për t'u diskutuar.
Cili lojtar i shfrytëzoi më mirë shanset në fushë?
Nuk dua të flas në veçanti, por në mesfushë, Gentner, Tresh dhe Hicspelger u organizuan shumë mirë, ndërsa Gomezi këtë herë e nisi si titullar dhe kjo e ndihmoi shumë të punonte me veten. Shfrytëzoi perfekt rolin e tij në sulm dhe na i shpërbleu me gol, gjithashtu Patrik Helmes, edhe pse erdhi nga një dëmtim, arriti të koordinohej mirë me topin. Toni Kros dhe Aron Hant organizuan shumë aksione "vdekjeprurëse". Ata dominuan dhe humbën toruan, prandaj duhet të tregohemi rezistentë ndaj rezultatit, pra psikologjikisht nuk jemi në nivelet e Botërorit.
Në ç'konkluzione arritët?
Në atë 90 minutësh, mora informacionin e nevojshëm për të krijuar një bazament edhe më të fortë në formacionin e ardhshëm. Por nuk kam arritur ende në një përfundim, pasi është ende herët për të arritur në konkluzione, duhet të tregohemi të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për çdo vendim.
Mbetët të kënaqur me paraqitjen e portierit Vize?
Portieri Tim Vize shpëtoi portën nga shumë goditje të rrezikshme, çka tregoi përgatitjet, instinktet dhe reflekset e tij të shkëlqyera. Përvoja jonë e Botërorit është primare. Ne do përpiqemi të ndërthurim çdo detaj të ri në formacionin tonë, pasi çdo gjë është e hapur dhe ka vend për korrigjime dhe përmirësime.