E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS: Dilaveri, president



Konflikti i tejzgjatur në Federatën Shqiptare të Gjimnastikës merr firmën zyrtare të shumëpritur: atë të ministrit të Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Me një vendim, me nr 6158, titullari i MTKRS-së, Xhaferraj, legjitimon Flobens Dilaverin në postin e presidentit të federatës. Në letrën që "Panorama Sport" mundi të sigurojë shkruhej: "Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në zbatim të vendimit të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv nr 1. datë 13.03.2009 dhe Vendimit nr. Akti 2689, dt. 18.06.2009 "Lëshim urdhri ekzekutimi" të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ju informon dhe një herë që president i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës është Z. Flobens Dilaveri. Të merren masa të menjëhershme për zbatimin e vendimit të gjykatës". Në harkun kohor të 2 viteve gjimnastika shqiptare ushtronte aktivitetin e saj në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare si federatë e ngritur në dy struktura drejtuese paralele. Njëra federatë kishte për president Flobens Dilaverin, që njihej nga Federata Botërore(FIG), ndërsa "simotra" kishte për president fillimisht Aleksandër Biberaj, (më pas i dorëhequr) i zëvendësuar ky në zgjedhjet e 13 marsit nga ish-gjimnasti Leonard Lulaj. Në apelet e shpeshta, FIG ka vënë theksin se në turne, Shqipëria mund të konkurrojë në rast se merr "OK"-in e drejtuesve të gjimnastikës që njihen zyrtarisht nga FIG. Madje të informuar për një përfaqësim në Austri në nivel klubesh (e mundësuar nga pala tjetër) përgjigjja e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Botërore të Gjimnastikës, zotit Andre F. Gueisbuhler, ishte e drejtpërdrejtë: "Dëshirojmë t'ju informojmë dhe njëkohësisht t'ju konfirmojmë zyrtarisht në emër të Federatës Botërore të Gjimnastikës (FIG) se mund të merrni pjesë në gara ndërkombëtare, turne, kampionate, aktivitete gala etj., etj., etj., si për të rritur të rinj ashtu dhe në të gjitha, grupmoshat në nivel klubi apo në nivel kombëtar, me autorizim me shkrim nga Presidenti ose Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gjimnastikës Shqiptare, që njihen nga Federata Botërore e Gjimnastikës (FIG) dhe FIG njeh si drejtues të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës President z.Flobens Dilaveri dhe Sekretar të Përgjithshëm z.Edmond Koloneci. Ne JU kemi informuar për këtë vendim të FIG-ut dhe ashtu si JU, edhe të gjitha federatave anëtare të FIG-ut, teksa u kemi bërë me dijë që të mos pranojnë asnjë regjistrim të ekipeve shqiptare, përveç atyre ekipeve që vijnë të nënshkruara nga dy zyrtarët e përmendur më lart", thuhej asokohe në mesazhin e ndërkombëtarëve. Tashmë një precedent më pak "Made in Albania"…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›