E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Maho, pranë kalimit te Besëlidhja



Ish-sulmuesi i Partizanit, Rezart Maho, pritet t'i bashkohet skuadrës lezhjane. Ai është takuar ditën e djeshme me drejtuesit e klubit lezhian. Mësohet se lojtari ka rënë parimisht dakord me drejtuesit për kushtet e kontratës, kështu që me shumë gjasa sezonin e ri do të jetë nën urdhrat e Brukës. Maho është aktivizuar me Partizanin sezonin e kaluar, gjithsesi tek Besëlidhja do t'u bashkohet kolegëve të tij si Shala, Buna dhe Selaci. Në këtë mënyrë do të krijohet boshti qendror nga porta në qendër të sulmit me Shalën si qendërmbrojtës dhe Bunën si organizator. Po ashtu Maho i shtohet në sulm Gegës, Ivanajt, Tanushit, M. Haxhiajt dhe L. Haxhiajt, çka do ta rritë më tepër konkurrencën në radhët e sulmit. Të hënën, lezhjanët do të nisen për një periudhe dyjavore në Razmë, ku do të vazhdojnë fazën përgatitore.
Presidenti - Takimi i zhvilluar të mërkurën mes Besëlidhjes dhe Burrelit evidentoi edhe njëherë gjendjen e të dy ekipeve, që kanë objektiva të njëjtë për këtë sezon. Presidenti Noka, megjithëse është i kënaqur nga paraqitja e ekipit, ka rezervat e tij. "Nuk dua të ndalem në problemet teknike apo në rezultatin e takimit, që ishte zhgënjyes për ne dhe tifozerinë që po e ndjek ekipin në stërvitje sikur të jetë në ndeshje zyrtare, por për mua rëndësi ka që të gjithë janë të impenjuar maksimalisht. Shterpësia në shënimin e golave na e bën të domosdoshme të ndërhyjmë urgjentisht në merkato për të forcuar repartin sulmues", - tha presidenti. Ilir J.Hoxha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›