Baloteli, tre gola për fitoren e Sitit
Janë luajtur dje pasdite disa prej ndeshjeve të vlefshme për javën e 20-të të Premier Ligës angleze të futbollit. Mançester Siti ka regjistruar fitore të thellë prej 4-0 kundër Aston Vilas, për të marrë kreun e kampionatit. Njeriu kryesor i pasanikëve ishte Mario Baloteli, i cili realizoi një tregolësh në këtë takim, duke shënuar dy herë nga pika e bardhë (8’ dhe 55’) dhe një gol nga loja (27’). Ndërsa golin tjetër të vendësve e realizoi Xholeon Leskot (13’). Pas kësaj fitoreje, Siti ngjitet në krye të tabelës me një pikë më shumë se Mançester Junajtid, por këta të fundit kanë ndeshje më pak të zhvilluara. Ndërkohë, me golat e Lenon (57’) dhe Bejl (81’), Totenhem Hotspur ka mposhtur Njukastëll Junajtidin, për t’u ngjitur në vendin e katërt në tabelë me 33 pikë.