Shpërbëhet Dinamo, Bakaj drejt Flamurtarit
Përveç Muzakës që është mjaft pranë Skënderbeut, edhe Elis Bakaj mund të largohet nga kampionët e vendit, për ta synuar trofeun e madh me fanellën kuqezi
Duket se rrugët e dy lojtarëve të Dinamos dhe të përfaqësueses kuqezi, Gjergj Muzaka e Elis Bakaj, do të ndahen në dy prej akseve më të “nxehta” të këtij kampionati. I pari duket se do të ketë destinacion Skënderbeun e drejtuar nga Shkëlqim Muça, ndërsa i dyti mund të përfshihet shumë shpejt nga planet e Gugash Maganit dhe Flamurtarit drejt titullit kampion. Praktikisht, me këta dy lojtarë në gjirin e tyre, skuadrat në fjalë do të kishin një marsh më shumë se çdo rival tjetër dhe titullin kampion do ta kthenin në një betejë personale.
I ftuar në emisionin Procesi Sportiv, trajneri i Skënderbeut, Shkëlqim Muça, zbuloi prapaskenat e atij që mund të shndërrohet në një goditje të vërtetë merkatoje. Gjergj Muzaka, një lojtar të cilin Muça e njeh mjaft mirë, ka biseduar për termat e kontratës së re me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo, i cili do t’ia servirte në formën e huazimit lojtarin më të mirë të krahut të djathtë të kampionatit tonë trajnerit të tij. Me Cikalleshin tashmë të veshur bardhekuq dhe me Muzakën, Muça do të kishte në dispozicion krahët e mesfushës më të frikshme të superligës. “Mund t’ju them se presidenti Zeqo ka biseduar me lojtarin në fjalë. Nuk e di sesa mund të zgjasë, por mund të them se Muzaka është lojtari ideal për skemën time. Bashkë me Cikalleshin, ata përshtaten për mrekulli”, deklaroi trajneri Shkëlqim Muça. Tjetër element që pritet të kalojë në Korçë është edhe mbrojtësi i majtë Renato Arapi, që u la i lirë pak ditë më parë nga Shkumbini.
Por, nëse Skënderbeu i ka bërë planet pa doreza, një lëvizje që mund të shkaktojë vërtet bujë do të ishte transferimi i Elis Bakajt te Flamurtari. Sulmuesi më i talentuar i kampionatit shqiptar, që dy net më parë u shpall edhe “Lojtari i Vitit” nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku në votim morën pjesë trajnerët dhe kapitenët e 12 skuadrave të superligës, shumë shpejt mund të mësojë të këndojë “labçe”. Së bashku me Xhafën e Plakun në sulmin e Flamurtarit, vlonjatët do të kishin të drejtë të tregoheshin arrogantë në fazën ofensive. Problem mbetet kontrata e lojtarit, pasi presidenti Sulaj ka shpenzuar plot 10 milionë lekë të rinj për t’ia shkëputur Partizanit lojtarin më premtues. Bosi i bluve nuk do të lejonte një kalim të 23-vjeçarit te Flamurtari pa pasur një ofertë konkrete në këmbim.
Sefa, një frymë larg Kavajës
Tjetër lojtar që pritet t’i largohet Dinamos është edhe sulmuesi shtatlartë, lushnjari Fatjon Sefa, që mund të veshë fanellën verdhezi të Besës. Presidenti Bizhdili ka vendosur të afrojë disa lojtarë të rëndësishëm, sikur është edhe portieri Elvis Kotorri, që t’i japë mundësinë trajnerit Haxhiu të tentojë shpëtimin e sezonit verdhezi. Por veç Sefës, Bizhdili kërkon të afrojë edhe Arlind Norën, një tjetër ish-lojtar i peqinasve, që përjetuan një shpërbërje të vërtetë menjëherë pas largimit të presidentit Ndroqi.