E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Tare: Kombëtarja, sot më e bashkuar se kurrë

SHKRUAN: Jeton Selimi 29-12-2010 10:45

Drejtori lacial flet edhe për talentet shqiptare. Sipas tij, në Itali ka disa elementë mjaft të mirë që luajnë në skuadrat zinxhirë të Interit apo Juventusit

Drejtori teknik i Lacios, ish-lojtari kuqezi Igli Tare, ka analizuar situatën e kombëtares shqiptare dhe ka vënë theksin te moseksportimi i lojtarëve cilësorë drejt kampionateve të huaja. Për të ilustruar mendimin e tij, ai ka përdorur shembullin e Emiljano Vilës, mesfushorit të talentuar durrsak, që shkëlqeu në disa përballje me kombëtaren, për t’u transferuar më pas te Dinamo e Zagrebit dhe për t’u kthyer përfundimisht në Shqipëri pas vetëm 1 sezoni. “Më vjen keq që lojtarë si Vila nuk kanë arritur të depërtojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kampionate të vendeve të tilla si Austria, Belgjika, Kroacia etj., duhet të jenë lehtësisht të arritshëm për lojtarët e kampionatit shqiptar që pretendojnë fanellën e kombëtares, diçka e tillë do të ishte në favorin e përfaqësueses sonë,” ka komentuar Tare. Më pas, drejtori i klubit bardhekaltër komenton edhe momentin e përfaqësueses kuqezi. Sipas tij, aktualisht kombëtarja ka një frymë që nuk e ka pasur kurrë më parë. “Është e vërtetë që kombëtarja aktuale ka më pak lojtarë cilësorë sesa në vitet e shkuara, por, ndryshe nga koha ime, kjo kombëtare është një grup që arrin ta anashkalojë mungesën e cilësisë duke luajtur në grup.” Në fund, Tare komenton edhe arsyet e mungesës së një lojtari shqiptar në radhët e Lacios. “Është e vështirë. Ligji në kampionatin italian ka ndryshuar dhe nuk lejohet më shumë sesa një lojtar ekstrakomunitar. Kjo do të thotë se ai ekstrakomunitar që do të vijë te Lacio duhet të ketë diçka më shumë sesa lojtarët që ekipi ka në dispozicion. Por në Itali ka disa lojtarë shqiptarë, dhe unë mund t’ju them se di të jenë rreth 20 lojtarë shqiptarë që aktivizohen me ekipet e moshave të Empolit, Interit, Juventusit etj”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›