Juventus shtyn Amaurin drejt Liverpulit
SHKRUAN: Jeton Selimi 29-12-2010 10:46
Juventus është duke nxitur Liverpulin të blejë sulmuesin Amauri në afatin kalimtar dimëror. “La Stampa” shkruan se menaxheri gjeneral i Juves, Bepe Marota, dëshiron ta shndërrojë në para sulmuesin për të transferuar sulmuesin e Fiorentinas, Alberto Xhilardinon. Megjithatë, vetë lojtari, i cili së fundi po rikthehet në formë pas dëmtimit, nuk dëshiron të largohet nga Torino. "E di se, nëse më jepet shansi, do ta dëshmoj veten", citohet të ketë thënë Amauri. Juve ka raporte të mira me “Reds”-at, pasi tashmë ka transferuar Alberto Akuilanin dhe ka shprehur interesim edhe për Glen Xhonson. Bardhezinjtë shpresojnë të fitojnë rreth 8 milionë stërlina nga shitja e Amaurit, i cili do të ishte një mbulesë për Fernando Torres në sulmin e Liverpulit.