Balotellit nuk i pëlqen Manchesteri

Mario Balotelli ka bërë të ditur se nuk është i kënaqur me jetën në Manchester dhe thotë se i mungon familja dhe miqtë e tij në Itali.
Komentet e sulmuesit të ri italian janë të ngjashme me ato të bashkëlojtarit të tij nga Manchester City, Carlos Tevez, i cili ka paralajmëruar se dëshiron të largohet nga klubi për të qenë më afër fëmijëve të tij.
Balotelli iu bashkua Cityt nga Inter gjatë verës së vitit të kaluar për rreth 24 milionë funte, por deklaratat e tij se ka vështirësi në veriperëndim të Anglisë do të shtojnë spekulimet rreth të ardhmes së tij. “Nuk jam i lumtur në Manchester, nuk më pëlqen qyteti”, tha Balotelli për Sky Sport Italia.
“Jam i kënaqur me trajnerin dhe ekipin, por nuk mund t’i keni të gjitha në jetë. Nuk më mungon Milano. Më mungon Brescia, shtëpia ime, më mungojnë familja dhe miqtë e mi, por mendoj se kjo përvojë në Angli do të më ndihmojë të zhvillohem si individ. Nuk e di nëse do të mbetem deri në fund të kontratës time. Tani jam këtu, më pas do të shohim”, theksoi ai.
Balotelli ka theksuar se në të ardhmen mund të transferohet te rivali i Interit, Milan. “Ata janë ekip i mirë, ne mund të bisedojmë një ditë”, përfundoi Balotelli.