E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balta bllokon shtegun e Kalimashit

 

KUKES - Shirat, balta dhe në fund edhe dëbora kanë bllokuar shtegun mbi tunelin e Kalimashit. Dhjetëra furgonë dhe automjete të tjera të transportit të udhëtarëve janë detyruar që t'i bien rrugës së gjatë nga Fushë Arrëzi, për të bërë 6 orë më shumë udhëtim derisa të mbërrijnë në Tiranë. Edhe pse disa automjete kanë tentuar të kalojnë në shteg, shoferët janë detyruar të kthehen mbrapsht, ngaqë balta nuk i ka lejuar të vijojnë më tej. Në pikën më të lartë në Qafën e Kumbullës, 1900 m mbi nivelin e detit ka pasur dhe reshje dëbore. Ky aks i improvizuar pas mbylljes së tunelit të Kalimashit, nuk mirëmbahet nga ndërmarrja e rrugëve, pasi nuk figuron si e tillë në hartën rrugore. Gjithashtu, mungon edhe sinjalistika si dhe kontrollet nga Policia Rrugore. Shoferët, për të kaluar në këtë aks kanë përdorur edhe në ditët me diell zinxhirët e dëborës, ndërkohë që shumë autovetura, sidomos me emigrantë kosovarë janë detyruar të kthehen mbrapa, pasi kanë dëmtuar edhe automjetet e tyre. Shtegu është 18 km i gjatë dhe lidh më shkurt dy portat e tunelit të Thirrës dhe të Kalimashit. Përdoruesit e rrugës shprehen se ky aks duhet të mirëmbahet, në mënyrë që të shfrytëzohen dy pjesët e autostradës deri tek tuneli.                                                                                   j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›