Grabitësit sulmojnë kambistin
PERRENJAS/ ALDI KOZARIA
Maskat plagosin kambistin dhe të shoqen, në tentativë për t'u rrëmbyer paratë në shtëpi. Mbrëmjen e së mërkurës, dy persona të armatosur dhe me fytyrë të mbuluar hynë brenda shtëpisë së familjes Rrushi, në qytetin e Përrenjasit. Por, tentativa për t'i penguar në qëllimin e tyre bëri që burrë e grua të plagosen rëndë, pasi u qëlluan me mjetet e forta që autorët kishin me vete. Që pas alarmit të dhënë ditën e djeshme, qyteti i Përrenjasit u pushtua nga forca të policisë, të cilët po kërkojnë me intensitet të madh për të gjetur autorët e ngjarjes që tronditi banorët. Personat e dëmtuar nga tentativa e grabitjes janë Astrit dhe Lirika Rrushi, 49 dhe 42 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike. Burime të policisë pohojnë për gazetën se maskat janë shfaqur rreth mesnatës në banesën e Astrit Rrushit, i cili punonte prej vitesh si kambist. Në momentin e afrimit, bashkëshortja e tij ka dëgjuar zhurmë. Ajo ka dalë në oborr, nga frika se dikush mund të ngacmonte makinën e të shoqit, tip "Benz". Sapo ka dalë jashtë, dy persona me maska e kanë kapur dhe bllokuar gojën me një ngjitëse për të mos kërkuar ndihmë. Me gruan të lidhur ata janë futur në dhomën ku ndodhej i shoqi. Edhe ndaj atij kanë nisur të ushtrojnë dhunë, në shenjë kërcënimi për të treguar vendin se ku mbante paratë dhe çelësin e makinës. Burri ka ngurruar që t'i tregojë, edhe pse nën presionin e armëve dhe mjeteve të tjera të mprehta që autorët kishin me vete. Me to ai është qëlluar 5 herë, duke pësuar plagë të mëdha. Kryefamiljari është rrëzuar i gjakosur. Ndërkohë, 42-vjeçarja ka mundur që të heqë ngjitësen, duke bërtitur për ndihmë, por dhe ajo është qëlluar disa herë me bajonetën e armës nga autorët. Pasi kanë neutralizuar me dhunë të dy personat, maskat kanë kontrolluar me shpejtësi nëpër shtëpi, por pa arritur të gjejnë atë që kërkonin. Nga frika se zhurma kishte zgjuar fqinjët ata janë larguar nga banesa e familjes Rrushi. Në të vërtetë, fqinjët kanë qenë të parët që reaguan pasi dëgjuan zhurmat, duke gjetur përtokë të gjakosur burrë e grua. Ata janë dërguar në spitalin e Përrenjasit, ku vetëm Lirika ka mundur që të japë një dëshmi të shpejtë për atë që kishte ndodhur. Për shkak të gjendjes së rëndë ata janë transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mësohet se dy fëmijët e çiftit ndodhen në emigrim.