Polici ushtarak mban peng 38-vjeçarin
DURRES - Një polic ushtarak është arrestuar në kushtet e flagrancës nga homologët e rendit, pas një pengmarrje 60 minutëshe që ai bëri në dëm të një 38-vjeçari nga Berati. Policia e Durrësit njoftoi se ka qenë ora 23:00 e së mërkurës kur u krye arrestimi i shtetasit Ramazan Alibejsi, 45 vjeç me detyrë punonjës i policisë ushtarake në Rromanat. Policia është vënë në kërkim të zbardhjes së mekanizmit të pengmarrjes, i cili sipas të gjitha gjasave ka lindur nga një sherr ordiner i çastit. Sipas hetuesve gjithçka është dukur e qetë, të paktën deri në orën 15:00, kur Alibejsi dhe shtetasi Florent H. nga Berati (por banues në Peqin) kanë qenë së bashku në lokalin e një qendre të njohur tregtare të Durrësit. Më vonë diçka nuk ka shkuar mirë dhe rreth orës 15:30 minuta polici e ka detyruar, duke e kërcënuar me fjalë Florentin ta ndjekë pas. Policia po heton pistën e sherrit banal, ndoshta të provokuar edhe nga alkooli. Policia e Durrësit njofton se pengmarrësi e ka çuar 38-vjeçarin në fshatin Xhafzotaj, ku e ka mbajtur për një orë. Sipas policisë, janë dalluar disa shenja të lehta dhune tek i dëmtuari. Pasi është lënë i lirë, 38-vjeçari ka shkuar menjëherë në polici, ku ka bërë denoncimin. o.u