E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme me pronat, Velipoja në protestë

 

VELIPOJE - Problemet me ndarjen e tokave, me furnizimin me ujë të pijshëm e me investimet në infrastrukturë kanë nxjerrë në protestë banorët e komunës së Velipojës. Ata dolën në qendër të komunës, duke denoncuar se rastet e identifikimit të mbivendosjes shtohen çdo ditë. Aktualisht, sipas tyre, 50 për qind e tokës në Velipojë është me probleme. Mark Vukaj, një nga banorët e zonës thotë se për një sipërfaqe toke ka disa tapi. "Ndonëse kemi kërkuar që komuna të merret me zgjidhjen e këtij problemi, kjo nuk është bërë. Komuna po qëndron indiferente për zgjidhjen e problemit, ndërsa banorët janë nëpër gjyqe pafund. Ne dimë që 240 familje janë me probleme pronësie". Nga deklarimet e vetë banorëve mësohet se mbivendosjet e pronave janë në fshatin Pulaj-Plazh, Sektor Gomsiqe Qendër, Reç i Ri, etj. Këto janë dhe zonat më të lakmuara për turizëm. "Problemi në to qëndron në faktin se për ndarjen e tokave nuk është zbatuar një ligj i vetëm. Ka vërtetime pronësie të dhënë sipas ligjit 7501, por ka dhe tapi të vjetra", thonë ata. Konfliktet për pronat janë bërë shpesh burim mosmarrëveshjesh e procesesh gjyqësore. Nga ana e saj, Komuna e Velipojës u ka dhënë një përgjigje zyrtare banorëve në të cilën ajo shprehet e gatshme që të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi, pasi është shqetësuese edhe për të mbivendosja e pronave. Sipas drejtuesve të komunës, në qarkun e Shkodrës është ngritur një komision për verifikimin e titujve të pronësisë dhe nga ky verifikim do të dalin të gjitha rastet ku ka shkelje në Velipojë. Për këtë qëllim ajo ka vënë në dispozicion të grupit të punës të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.                            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›