Rudi Vata: Jam rritur me sakrifica, e bëj edhe një për Vllazninë
Trajneri i ri i Vllaznisë kërkon minimalisht daljen në Kupat e Europës, për titullin do të mendohet vetëm sezonin e ardhshëm
E ka quajtur sakrificë marrjen e Vllaznisë në këto momente, kur ndoshta shumë trajnerë të tjerë do ta refuzonin. Megjithatë, ai ka vendosur të dëgjojë zërin e qytetit të tij, që e thirri për të shpëtuar Vllazninë, e cila po kalon një moment aspak të mirë. Dhe Rudi Vata e ka dëgjuar zërin e Shkodrës, teksa ka vendosur të braktisë edhe familjen e tij në Skoci, vetëm për të marrë përsipër këtë gjë. Në të parin prononcim të tij si trajner i ri i Vllaznisë, ai është shprehur kështu për mediat:
Rudi, si ndiheni tashmë që u emëruat zyrtarisht trajner i Vllaznisë?
Është një emocion shumë i veçantë për mua në këto momente. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse më janë besuar fatet e Vllaznisë në këto momente. Por vendosa ta pranoj detyrën e trajnerit të kësaj skuadre, sepse besova te projekti që kanë drejtuesit e klubit dhe ato të bashkisë. Duke pasur një grup njerëzish të tillë pranë, kam marrë këtë vendim shumë të rëndësishëm për jetën time.
E keni pranuar këtë detyrë ngaqë jeni shkodran, apo sepse dëshironi të nisni një karrierë të suksesshme edhe si trajner?
Të dyja, por më së shumti e pranova ngaqë jam shkodran dhe të gjithë shkodranët janë borxhlinj për qytetin e tyre, pavarësisht se ku ndodhen. Si pjesë e sportit, jam borxhli për futbollin dhe Vllazninë. Unë jam i ndërgjegjshëm se skuadra ka probleme të mëdha në këto momente, por në karrierën time kam kaluar situata shumë të vështira, prandaj dhe jam i mësuar me to. Një situatë e tillë është edhe kjo tani te Vllaznia, prandaj e mora përsipër një gjë të tillë. Por nëse unë e mora këtë përgjegjësi, këtë shpresoj të marrin edhe futbollistët.
E njihni skuadrën aktuale të Vllaznisë?
Mund të them se e njoh deri diku mirë këtë skuadër, ngaqë e kam ndjekur rregullisht. Vllaznia ka në përbërje të saj lojtarë shumë të mirë, kandidatë të ekipit kombëtar, lojtarë të ekipit Shpresa dhe shumë të rinj të talentuar e me perspektivë. Por ata duan punë dhe motivim disi më ndryshe nga deri tani. Detyra e të gjithëve është të ndërtojmë një Vllazni që të kënaqë tifozët e saj të shumtë e ti kthejmë ata në stadium, sepse tifozi shkodran nuk kënaqet me pak.
Cili është objektivi që ju kanë kërkuar drejtuesit e klubit?
Drejtuesit e klubit kanë nisur një projekt shumë serioz për të ndërtuar një Vllazni kampione në sezonin e ardhshëm. Ky projekt mua më pëlqen dhe njëkohësisht edhe qëllimi i klubit. Për ta arritur këtë, duhet të fillojë një epokë e re. Duhet që fjalët më së pari ti kthejmë në vepra. Të flasim më mirë në fushën e stërvitjes sesa në media. Nëse them që titulli kampion do fitohej nga Vllaznia këtë sezon, do ti gënjeja të gjithë. Qëllimi im është të kapim objektivin për të qenë në Kupat e Europës.
Si mund të arrihet kjo, kur thoni që skuadra ka probleme të mëdha?
Nëse punojmë mirë, nëse jemi shembull për ambientin, për sportistët, nëse të gjithë bashkë bëjmë maksimumin, natyrisht që do ti kapim objektivat që ka klubi.
Çfarë do të kërkoni të ndryshoni gjënë e parë te skuadra?
Unë e thashë edhe më lart, që Vllaznia ka lojtarë të mirë në radhët e saj. E keqja kryesore për momentin është se ata po kalojnë një ngërç psikologjik. Për ta kaluar këtë situatë, duhen energji të mëdha dhe prandaj unë do jem i pari që do të vë në dispozicion të skuadrës të gjithë energjitë e mia për skuadrën. Skuadra është e sëmurë, këtë duhet ta pranojmë të gjithë. Dhe për ta shëndoshur duhet të gjejmë medikamentin e duhur.
E shihni të domosdoshmë ndërhyrjen në merkaton e janarit dhe çfarë prisni në fakt prej saj?
Personalisht nuk mendoj për merkaton e janarit. Duhet të mendojmë dhe ti bëjmë planet me këta lojtarët që kemi aktualisht në dispozicion. E përsëris, Vllaznia ka në përbërje të saj lojtarë cilësorë dhe planet duhet ti bëjmë me ta.
Cila është kohëzgjatja e kontratës suaj?
Kontrata është deri në fund të sezonit dhe nuk mendoj se duhet ta shohim në këtë mënyrë këtë gjë. Mendoj se me drejtuesit e bashkisë kemi arritur një marrëveshje burrash dhe kjo marrëveshje do zgjasë aq sa gjërat të shkojnë mirë. Nuk ka nevojë për firma në këtë mes.
Ju personalisht mendoni të rrini gjatë te Vllaznia?
Kam marrë një vendim shumë të vështirë. Një vendim që ndoshta shumë trajnerë nuk do ta merrni në këtë moment të vështirë të skuadrës. Po ashtu, kam lënë familjen time në Skoci për të ardhur e punuar në Shkodër. Kjo nuk është pak, sepse familja më ka dhënë gjithmonë energji, por unë shpresoj se te Vllaznia të gjej energji të reja, me njerëz të rinj dhe të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën. Nuk kam dëshirë të bëj plane afatgjata. Kam dëshirë që ti marr ditët një nga një.
Tifozët shkodranë presin nga një emër i madh si ju të ringrini Vllazninë në nivele të larta. Do tia arrini?
Një nga objektivat e mi ky është: të rikthej tifozët shkodranë në stadium. Ata jo më kot janë larguar për momentin nga stadiumi. Tifozët shkodranë janë shumë të zgjuar, e njohin mirë futbollin dhe prandaj, nëse luajmë ashtu siç duhet, nëse i kënaqim me lojë, tifozët do të kthehen dhe këtë do të kërkoj.
Stafi, Sinani do jetë edhe zv.trajner
E ka lënë të kuptohet vetë Vata në konferencën e djeshme për shtyp. Ai mund ti ndryshojë pjesëtarët e stafit me të cilin do të punojë. Unë do ti dëgjoj ata. Nëse janë të gatshëm të punojnë me mua, nëse i përkrahin idetë e mia, sigurisht që do jenë pjesë e stafit tim. Nëse mendimet nuk na puqen, atëherë edhe mund të ketë ndryshime. Kjo do merret vesh për 24 orë, – ka thënë Vata. Por wshtw mwsuar se Vioresin Sinani do jetw ndihmwsi i Vatws, duke bwrw edhe rolin e sulmuesit.
