E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bamir Poda”... !?



Nga Armando Meta

“Kandidati Bamir Poda...”. Ka mjaftuar kjo “ngatërresë” e pazakontë emri në Kuvend, e bërë nga deputeti republikan Arian Madhi gjatë numërimit të votave për kandidatin Zamir Poda për në Gjykatën e Lartë, për të kuptuar mobilizimin absurd të PD-së dhe aleatëve të saj për të rrëzuar me çdo kusht në Kuvend dekretet e presidentit Bamir Topi. Një shkallë e tillë infektimi prej militantësh fanatikë dha provën e radhës të një shumice që nuk përdor arsyen, por bindjet e verbra dhe rreshtimin nën komandë. Tashmë është e qartë për të gjithë se kryeministri Berisha, duke rrëzuar të gjitha dekretet e presidentit Topi në Kuvend, i dha të kuptojë këtij të fundit se është ai zoti real i këtij shteti. Ndërsa roli i presidentit, siç është shprehur pak kohë më parë edhe kryetarja e Kuvendit Topalli, duket se dhe për kryeministrin “është thjesht ceremonial”. Presidenti është në një pozitë shumë të vështirë, pasi kryeministri po e trajton thjesht si një rrogëtar. Berisha i ka hequr praktikisht Topit të drejtën e ushtrimit real të kompetencave kushtetuese. Në një hark kohor prej 3 vitesh kryeministri ka arritur të uzurpojë të gjithë shtetin, duke e futur demokracinë shqiptare në një udhë pa krye. Gjykata e Lartë është bastioni i fundit që nuk kontrollohet nga kryeministri. Por edhe ky institucion duket se i ka ditët e numëruara. I gjithë ky turravrap i kreut të qeverisë për të shtënë në dorë sistemin gjyqësor e ka një shpjegim, i cili nuk lidhet as me përpjekjet për ndërtimin e shtetit ligjor, as me zbatimin e procedurave Presidencë - Kuvend, as me luftën kundër korrupsionit, krimit etj. I vetmi shpjegim gjendet te “tragjedia e Gërdecit”. Kapja dhe e hallkës më të lartë të sistemit gjyqësor do t’i mundësonte kryeministrit moszbardhjen e kësaj tragjedie të rëndë, në të cilën është e implikuar kokë e këmbë qeveria dhe qeverisja e tij. Presidenti, betejën për Gjyqësorin e ka në rrafshin e balancimit të pushteteve dhe rritjes së pavarësisë së Gjyqësorit. Ndërsa për kryeministrin beteja duket se ka marrë trajtën e një beteje për jetë a vdekje për pushtetin e tij politik dhe të shumicës që ai drejton. I kapur nga Gërdeci, kryeministri çdo ditë vetëm sa shton zullumin, duke paralizuar Gjykatën e Lartë, duke zvarritur heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke nxjerrë jashtë loje rolin e presidentit etj. Në Shqipëri s’mund të bëhet më fjalë për institucione të pavarura. Ato tashmë janë të gjitha të pushtuara nga kryeministri. Pa frikë mund të themi se po instalohet një diktaturë personale, e cila pa skrupuj tentohet të fshihet nën terma demokratikë. Tani në provë nuk është më oreksi i kryeministrit për të kapur shtetin dhe institucionet e pavarura, pasi ai ka kapur gjithçka. Në provë është vullneti i presidentit Topi, i cili duhet të çlirojë shtetin dhe institucionet e pavarura nga pushtimi i kryeministrit. Ai duhet t’i provojë qartë edhe deputetit Madhi se nuk është “Bamir Poda”, por Bamir Topi.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›