E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: “Bamir Topi po ndeshet me tiraninë e Sali Berishës”



Njeriu që u ndesh i pari me Berishën fill pas riardhjes së tij në pushtet, Spartak Ngjela, gjatë një interviste për “Albania”-n, e sheh përplasjen më të fundit për anëtarët e Gjykatës së Lartë si betejën mes një kryeministri që kërkon të marrë gjithçka dhe një presidenti që nuk ia bën edhe aq të lehta planet. Spartak Ngjela, i cili duket se është i vetmi zë i deputetëve të maxhorancës që po denoncon “shfarosjen e së djathtës”, e sheh rezistencën e presidentit edhe si një premisë për të forcuar të djathtën e vërtetë. Për avokatin karizmatik të politikës, kryeministri Berisha ka arritur në nivelin e fundit të “lojës” duke lozur i pashpresë. Ai nuk ka dyshime se Berisha tashmë kërkon vetëm kontroll, kontroll mbi gjithçka, pasi siç thotë vetë Ngjela, ”vetëm instalimi i diktaturës mund ta shpëtojë Berishën nga hetimi i Gërdecit”. Një këndvështrim tejet interesant ka shfaqur avokati lidhur me “rreshtimin” e shumë deputetëve të maxhorancës, të cilët hodhën poshtë dekretet e presidentit Topi. Ngjela i ka konsideruar ata si “marioneta” të verbra, të depersonalizuara dhe të bindura të kryetarit të Partisë Demokratike. Madje ai ka shtuar se qëndrimet e deputetëve të kësaj partie më së shumti përmblidhen në deklarata servile apo në spiunllëqe të rëndomta, gjë që sipas Ngjelës kanë bërë që PD-ja të humbë “nordin” dhe të ulë nivelin e përfaqësimit. Por avokati nuk ka dyshime se edhe votat e opozitës që shkuan kundër dekreteve të presidentit do të bëjnë efektin “boomerang” që bënë votat e mbështetësve të Fatos Nanos në zgjedhjen e presidentit, duke ulur pikët e krerëve reciprokë të dy partive më të mëdha. Megjithatë, Ngjela sërish sheh djathtas dhe parashikon “aksione në rritje” për të djathtën dhe rikthimin e saj, pasi siç thekson ai, këto aleanca të Berishës kundër së djathtës veçse “djegin” gjithnjë e më shumë aksionet e tij dhe i hapin rrugën të djathtës së vërtetë. Por çka duket më interesante në këndvështrimin e avokatit, është bindja e tij se kryeministri, paçka se është mobilizuar shumë kundër presidentit, së fundi prapë është “kundërpedal” për sa kohë që të paktën për dosjen “Gërdeci” hetimet nuk kryhen vetëm në Shqipëri.

Avokat, keni bërë një deklaratë të fortë duke u shprehur se opozita ka pasur rrjedhje votash. Për sa kohë që opozita nuk u shpreh me një qëndrim zyrtar për dekretet (pro ose kundër), nuk mendoni se bëhej fjalë për një qëndrim të pritshëm?
Nuk mendoj se është kështu; përkundrazi, opozita është shprehur se do t’i votonte dekretet e presidentit. Por kjo, megjithatë, ka pak rëndësi. Për politikën e rëndësishme është kur konstaton bashkimin midis një pjese të opozitës, me një pjesë të maxhorancës. Kjo politikisht flet për dy arsye: e para, kuptohet se liderët e të dy krahëve nuk ndihen mirë nga brenda; dhe e dyta, se lideri i maxhorancës, në rastin tonë kryeministri, vijon të jetë një lolo i pushtetit. Sepse Saliu tani ka humbur gjithçka dhe është në lajthim kur mendon se duke pasur në ndihmë liderin socialist, ka çdo gjë për pushtetin. Që të dy janë jashtë sensit të së ardhmes; ndonëse socialisti mendon se duke mbrojtur Saliun garanton të ardhmen, kurse Saliu mendon se duke u mbrojtur nga socialisti, garanton të tashmen. Që të dy janë diku në periferinë e modernitetit dhe nuk e kuptojnë se takimi i tyre ka kohë tani që ka bërë “lidhje të shkurtër”, e cila, për pak kohë do të djegë zyrat e secilit. Në fund të fundit kjo është logjika e votës së lirë, sepse nëse këta mendojnë se mund të manipulojnë votat, atëherë gjendja do të bëhet edhe më e trazuar për ta. Por këtu duhet të sqarohet edhe diçka. Të hënën, brenda maxhorancës kanë qenë tetëmbëdhjetë deputetë që kanë votuar dekretet. Dhe kjo nuk është pak. Sepse kjo është e frikshme për të dy kryetarët: edhe socialistin, edhe demokratin. Prandaj ishte tetëmbëdhjetëshja, që sigurisht do të rritet, e cila në fillim hapur e radhiti socialistin për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me mocionet, kurse tani, fshehurazi, u bashkua kundër dekreteve të presidentit. Por, nëse në rastin e parë e bëri hapur përkrahjen, në rastin e dytë socialisti e bëri me togën e tij të vogël. Domethënë që është edhe ky i trembur. Ja pra, e shihni se si mund të gjykohet pas një votimi të demaskuar? Sepse kuptohen hallet e secilit dhe vijon rënia e aksioneve në elektoratin shqiptar. Po të ishin kaq të lehta për t’u bërë këto punë, i kishin bërë demokracitë europiane me kohë. Por nuk bëhen sepse është arsyeja e rreptë e atij qarkut të shkurtër që vjen e djeg zyrat e kryetarëve, që i ka ndaluar me kohë dhe i ndalon edhe politikanët mediokër të Perëndimit që ta ndërmarrin këtë hap. Por Shqipëria është në eksperiment dhe pse po e bën edhe këtë, nuk ka kurrfarë të keqe, përkundrazi, është eksperiencë, në mënyrë që edhe në Shqipëri të konsolidohet normalisht loja politike. Të kuptohemi: pasi të “digjen” zyrat e kryetarëve. Kurse ajo që e demaskoi lojën e së hënës në Parlament ishte, pa dyshim, fakti i dekretit “Poda”. Ku i gjeti Zamir Poda votat? Kuptohet se për këtë rast toga nuk iu bind kryetarit socialist, sepse Poda është më i fortë në rrafshin socialist sesa kryetari i PS-së. Unë e prisja këtë, madje këtu e kisha varur mbështetjen e logjikës sime. Dhe kjo doli. Pra më thoni: ku i gjeti votat Poda, kur i gjithë mllefi i rrugënajës së Saliut ishte pikërisht aty?
Mendoni se të paktën në rastin e zotit Topi rrjedhja e votës nga opozita nuk përbën ndonjë çudi. A nuk ndodhi kështu dhe me zgjedhjen e tij si president?
E shoh se e ditkeni edhe ju këtë gjë dhe më duket se ju pëlqen, por duhet të prisni si gazetar djegien që unë ju përmenda. Edhe në kohën e zgjedhjes së presidentit pati rrjedhje nga opozita, por e hapur, ama; dhe duhet të kujtohemi se “qarku i shkurtër” kishte ndodhur atëherë dhe e kishte djegur zyrën e Nanos dhe e kishte dëmtuar rëndë atë të Saliut. Kjo e djeshmja ishte e fshehtë, por edhe më e papranueshme nga opinioni shqiptar, që s’pranon kryeministrin aktual. Unë këtë po ju them, se që të dy kanë humbur shumë dhe gjithmonë në favor të së djathtës.
Në ç’kuptim?! Si mund të shkojë në favor të së djathtës kjo situatë?
Sepse vetë bashkimi bëhet për të mos lejuar avancimin e së djathtës shqiptare drejt pushtetit. Ky është synimi i liderit socialist dhe kryeministri e di, sepse këtë lojë po e luan vetë që prej shtatëmbëdhjetë vitesh. Kështu që duhet të kuptohemi: të gjitha këto i japin të djathtës shansin për një eskalim të ri, të cilin patjetër që do ta ndërmarrë. Por për këtë do të shihemi ca pak kohë më vonë për të biseduar.
Politikisht, si e shikoni qëndrimin e prerë të Partisë Demokratike, e cila fillimisht për pak sa nuk e shpalli antikushtetuese procedurën e ndjekur nga presidenti, ndërsa më pas i rrëzoi dekretet për të pesë kandidaturat. A nuk po duket sikur kryeministri po i thotë presidentit: “Unë të bëra president, tani do bësh si të them unë"?
Vërtet mendoni se ka një mendim të Partisë Demokratike? Ku ka mendim ajo parti e mjerë. Ajo drejtohet nga një përçartje e kryetarit të saj dhe nënmediokritetit të bashkëpunëtorëve të tij, shumica mjeranë, ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit, që shërbejnë më shumë si spiunë, sesa si politikanë. Kurse Saliu thotë e thotë marrëzira dhe nxjerr eskortën e spiunëve, që janë injorantë, por janë edhe spiunë që flasin marrëzira dhe janë ngaherë agresivë; por që nuk i dëgjon asnjë shqiptar, me përjashtim të disa rretheve që janë si ata, me komplekse dhe pa asnjë vlerë intelektive. E kuptoni se ku ndodhemi e nga kush po drejtohen shqiptarët? Por gjendja do të ndryshojë. Keni për ta parë.
Keni folur i pari për rëndësinë që ka Gjykata e Lartë (si mburojë për imunitetin) për qeverinë aktuale, e cila dyshohet se është implikuar në afera prej qindra miliona eurosh, apo deri dhe në vrasjen e popullsisë. Çfarë do t’i sugjeronit presidentit të bënte me dekretet në raundin e dytë?
Presidenti Topi do të vijojë rrugën e tij, domethënë nuk do t’ia lërë në dorë Gjykatën e Lartë Sali Berishës. Duhet të kujtoheni se presidenti shqiptar kuotohet përditë brenda vendit dhe sidomos në arenën ndërkombëtare. Tani edhe sferat ndërkombëtare e kanë kuptuar se Bamir Topi po ndeshet me tiraninë shqiptare, dhe nuk po e lejon. Dhe ju e shihni që ka përkrahje, madje një përkrahje të vetme. Dhe kështu do të vijojë, derisa të zbardhet përfundimisht çështja e Gërdecit. Presidentit aktual, gjatë detyrës së tij, i ka ndodhur një tragjedi kombëtare e shkaktuar nga qeveria aktuale, përkatësisht kryeministri i saj. Si mendoni ju, a nuk e ka sensin e historisë presidenti shqiptar? E ka shumë të zhvilluar, për këtë ju garantoj unë. Pse nuk e di ai që Saliu do të vendosë diktaturën, në mënyrë që të shuajë përgjegjësinë për Gërdecin? E di shumë mirë. Madje kjo po e lodh Saliun. Veçse hetimi s’është duke u kryer vetëm këtu. Kam mendimin se Gërdeci ishte edhe një krim ndërkombëtar. Koha do të ma provojë edhe këtë. Duhet të keni pak durim dhe një sens të qetë për pritjen, sepse do ta shihni vetë që unë kam pasur të drejtë.
Intervistoi: Habjon Hasani

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›