E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamir Topi: “Përpjekjet për ndryshimin e Kushtetutës lidhen me interesa private”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur dje se ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kushtetutë lidhen me interesa private të disa politikanëve. Sipas presidentit Topi, interesa personale të caktuara po tentojnë të prekin pushtetin e pavarur të institucioneve. Presidenti i ka lëshuar këto akuza në një intervistë për Top-channel”. Presidenti ka deklaruar se momenti aktual politik është një frymëzim amatoresk që kërkon të ndërhyjë dhe të prekë dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën. Presidenti e ka cilësuar si të papranueshëm ndërhyrjen në Kushtetutë, pasi sipas tij, propozimet e bëra nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike janë sipërfaqësore. Sipas kreut të shtetit, këto propozime nuk janë serioze, pasi kanë ardhur në një mënyrë të shpejtë, pa diskutime të thelluara, të cilat rrezikojnë të krijojnë një situatë të rëndë për shtetin dhe institucionet e tij. Propozimet për ndryshimet në Kushtetutë presidenti i ka cilësuar si joserioze, të cilat mund ta fusin në një debat pa fund politikën dhe institucionet, gjë që mund të krijojë një kaos institucional për shtetin shqiptar. Ironia e presidentit Topi ka shkuar më tej pasi sipas tij, në politikë ka tendenca të rrezikshme, të cilat kërkojnë të dominojnë pushtetet e pavarura të sanksionuara në Kushtetutë. “Çështja e prekjes së Kushtetutës nuk mund të jetë kaq sipërfaqësore. Unë jam presidenti i vendit dhe garanti institucional dhe moral i dokumentit themelor mbi të cilin ngrihet e gjithë jeta e institucioneve shqiptare. Të prekësh më mënyrë të shpeshtë Kushtetutën do të thotë që të mos jesh serioz me dokumentin themeltar, sidomos kur bëhet fjalë për disa propozime të çastit që krijojnë një lloj pështjellimi dhe fusin në debat jo vetëm politikën, por edhe institucionin. Vendi gjendet në një moment politik amatoresk që frymëzohet nga përpjekjet e çastit dhe kjo e bën klimën të rënduar, sidomos kur ka tendenca për të dominuar mbi pushtetet”, - tha Topi. Presidenti, në një intervistë të pak ditëve më parë në “VOA” u shpreh se në politikë ka njerëz të cilët nuk kanë cilësitë e duhura për të bërë ndryshime në Kushtetutë. “Ajo që unë mund të deklaroj sot është që duke qenë garant i ligjeve, i Kushtetutës, për të cilën ose prej së cilës jam votuar, unë them që në parim, kur bëhen lëvizje të Kushtetutës, i cili është dokumenti themeltar i shtetit, forcat politike, politikanët, kushdo qofshin ata, pavarësisht nga “background”-i dhe eksperienca e tyre, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po të prekësh themelet e shtetit, pa pasur një mendim të qartë dhe për të ndërhyrë në mënyrë shumë frekuente, atëherë do të thotë të mos japësh asnjë lloj garancie për muret e ndërtesës. Pra ideja është kjo, që debati politik ka nevojë të bëhet pa emocione, pa mendime të çastit dhe shpesh mendimet e çastit vijnë edhe nga emocione të forta politike”, - është shprehur Topi.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›