Berluskoni fiton Italinë

Lideri veteran i qendrës së djathtë, Silvio Berluskoni, duket se do të rikthehet sërish në postin e kryeministrit të Italisë. Ndërsa ende vazhdon procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e përgjithshme, exit pollet tregojnë se i vetëquajturi “kavaljeri” gëzon një avantazh të lehtë përballë rivalit të tij, Valter Veltroni. Ato tregojnë se koalicioni i drejtuar prej miliarderit 71-vjeçar ndodhet në avantazh si në Dhomën e Deputetëve, ashtu edhe në Senat. Sipas një exit poll-i të bërë publik dje nga televizioni “Sky”, blloku i udhëhequr nga Partia Populli i Lirisë (PDL) së Berluskonit gëzon 42 për qind të votave, ndërsa koalicioni i Veltronit 40 për qind për Dhomën e Deputetëve. Ndërsa në Senatin italian, qendra e djathtë ka fituar 42,5 për qind dhe koalicioni i Partisë Demokratike 39,5 për qind. Megjithatë, analistët kujtojnë se exit pollet kanë rezultuar jo të besueshme në zgjedhjet e kaluara në Itali, ndaj asgjë nuk është ende e sigurt deri në publikimin e rezultateve zyrtare, gjë e cila pritet të bëhet sot. Sipas tyre, as Berluskoni e as rivali i tij, Veltroni, nuk pritet të fitojnë shumicën pa ndihmën e aleatëve të tyre apo partive të tjera të vogla. Për sa u përket këtyre të fundit, një rezultat surprizë tregohet për Ligën Veriore, pjesë të Koalicionit të Lirisë së Berluskonit, e cila besohet se ka marrë 6-8 për qind të votave si në Dhomën e Deputetëve, ashtu edhe në Senat. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve zyrtare, pritet të nisin bisedimet për krijimin e koalicionit që do të qeverisë vendin. Qeveria e ardhshme italiane do të përballet me një sërë sfidash, ku më e rëndësishmja është përmirësimi i situatës së dobësuar ekonomike. Zgjedhjet e 13-14 prillit u mbajtën 3 vjet para afatit, pas rrëzimit të qeverisë së Romano Prodit në muajin janar. Me 78 për qind të zgjedhësve, pjesëmarrja në këtë proces ishte më e ulët se në zgjedhjet e kaluara, dy vjet më parë.