E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria anglosaksone

TIRANË - Koeficienti i lartë i anglishtes në Maturën Shtetërore rrit me 120 për qind numrin e maturantëve që do të japin provim me zgjedhje këtë lëndë. Në datën 10 korrik, datë në të cilën do të mbahen provimet me zgjedhje, 8700 maturantë që kanë plotësuar formularin A1, ose 30 për qind e numrit total të tyre, do të testohen për zotërimin e anglishtes. Të gjitha degët e fakulteteve publike, përveç lëndëve të profilit të tyre, i kanë dhënë lëndës së anglishtes koeficientin, pra 1.3, ndërsa lëndëve natyrore u kanë dhënë koeficientin 1.0. Nga ana tjetër, matematika, edhe pse degë natyrore, i ka dhënë koeficientin 1.3 edhe anglishtes, ndërsa lëndët shoqërore i ka koeficientuar me 1.0. Kjo do të thotë se, kandidatët që përzgjodhën anglishten si lëndë me zgjedhje, nëse dalin me rezultate të mira në këtë lëndë, kanë mundësi që rezultati i tyre të koeficientohet me 1.3, duke arritur kështu një numër më të lartë pikësh. Prej dy vitesh, anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore për të gjithë universitetet publike të vendit, mban koeficientin e lartë 1.3 për pranimet në universitete. Vitin e kaluar shkollor, anglishtja u fut zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar edhe në klasat e 3-ta dhe të 4-ta, me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për dy gjuhët e tjera, frëngjishten dhe italishten, por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70 për qind të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj. Kandidatët e tjerë që nuk kanë një anglishte të mirë apo janë njohës të një gjuhe tjetër të huaj, nuk do të jenë të diskriminuar. Ashtu si edhe në vitet e kaluara, ata duhet të zgjedhin lëndët ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin për shkollë të lartë. Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ermelinda Muho, bëri me dije se për herë të dytë këtë vit, mbi 30 mijë maturantë do të testohen edhe për njohuritë në gjuhën shqipe. Në dekadat e shkuara, ndryshe nga norma botërore, gjuha amtare ishte përjashtuar nga kurrikulat e arsimit të mesëm të përgjithshëm, dhe si pasojë nxënësit nuk testoheshin për gjuhën shqipe as në provimet e maturës. Në testimin për provimin e detyruar të gjuhë-letërsisë, 20 për qind e kërkesave do të jenë për gjuhën shqipe, një lëndë e cila në të ardhmen së bashku me programin zyrtar, do të jetë një ndër lëndët kryesore në provimet e Maturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›