E Shtunë, 31 Tetor 2026

T'u thoni serbëve

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i kërkuan dje Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Sipas RTK-së, gjatë një takimi të zhvilluar dje me përfaqësuesin e BE-së, Peter Faith dhe me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, ata kërkuan t’i bëhet e ditur Serbisë se nuk mund të organizojë zgjedhje në shtetin e ri. Sipas tyre, është UNMIK-u ai që do të mbajë përgjegjësi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë dhe për pasojat eventuale të tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se UNMIK-u duhet t’ia japë përgjigjen e duhur Serbisë. “Zgjedhje serbe nuk mund të caktojë Serbia në Kosovë. Pra, s’mund të ketë. Kosova është e pavarur. Kosova është një zonë elektorale për qytetarët e vet dhe është në përgjegjësi të UNMIK-ut që të japë përgjigje më të mira të iniciativave të tilla, të cilat kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën”, tha Sejdiu. Ai u shpreh se Kosova do të respektojë parimin e dyshtetësisë, siç parashikohet në paketën “Ahtisari”, por kundërshtoi përpjekjet e Serbisë për të injoruar institucionet e Kosovës. Nga ana tjetër, kryeministri Hashim Thaçi u tregua më optimist, kur tha se Kosova ushtron autoritetin e plotë në gjithë territorin e saj. Ndërsa sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ai tha se vendimin do ta marrin në bashkëpunim me SHBA-të dhe me BE-në. “Institucionet legjitime të Kosovës kanë autoritetin e plotë në gjithë territorin e Kosovës dhe do të marrin vendimet meritore. Qëndrimi i SHBA-ve është për t’u përshëndetur, është shumë inkurajues dhe do të jetë me qëndrime të përbashkëta Prishtina, Uashingtoni, Brukseli dhe NATO-ja”, u shpreh Thaçi. Liderët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë po përpiqen të gjejnë një përgjigje të përbashkët rreth zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, të cilat, me gjithë kundërshtimet, duket se do të organizohen edhe në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›