E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: ”Sistemi zgjedhor nuk do t’i cenojë partitë e vogla”

Alternativa e vetme për aleatët mbetet shkrirja me PD-në. Partitë e vogla vazhdojnë përpjekjet, por u dështon tryeza me ekspertë

Erald Kapri

Kryeministri dhe lideri i maxhorancës, Sali Berisha, ka qetësuar partitë e vogla aleate të koalicionit se sistemi i ardhshëm zgjedhor nuk do të cenojë interesat e tyre. Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se reforma ka për të ecur më tej, pavarësisht se diskutimet do të vazhdojnë. “Reforma e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor nuk synon cenimin e interesit të asnjë forcë politike, në të kundërt synon një hap tjetër të madh përpara drejt projekteve madhore të këtij vendi dhe këtij kombi, integrimit”, - tha Berisha. Krerët e partive të vogla kërkuan një ditë më parë shpjegime nga Berisha si dhe mundësinë e një sistemi tjetër zgjedhor, por pa rezultat. Duket se partitë aleate do të shkrihen brenda Partisë Demokratike, pasi sistemi i ardhshëm zgjedhor nuk lë tjetër mundësi përfaqësimi në Kuvend për partitë e vogla. Pavarësisht këmbënguljes së partive të mëdha për të pasur sistemin proporcional rajonal, Berisha u shpreh se do të ketë bisedime të mëtejshme, të cilat duket se do të fokusohen në elementë praktikë. “Meqenëse kjo është një çështje thelbësore, sepse reforma e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor përbën një zhvillim madhor për interesin e vendit, sigurisht këto po diskutohen me të gjithë faktorët politikë”, - tha më tej Berisha.
Sistemi
Proporcionali rajonal duhet se do të jetë sistemi i ardhshëm zgjedhor në vend, çka nënkupton një sfidë për partitë e vogla parlamentare. Në pamundësi për të kapur pragun e zonave elektorale, të cilat do të jenë 12 dhe me pragje që variojnë nga 25 për qind deri në 3.6 për qind, të vegjlit duhet të manovrojnë ndryshe. Duket se mënyra më efikase do të jetë fuzioni ose shkrirja me partitë e mëdha. Kjo nuk pritet të ndodhë formalisht, por do të ndodhë praktikisht. Sistemi teorikisht nuk lejon të kalojnë pragjet për partitë e vogla, por lejon marrëveshje. Në këmbim të një vendi në Kuvend, partitë e vogla do të vendosin në shërbim të partisë aleate të madhe të gjithë strukturën e tyre kombëtare. Pra, në këmbim të një vendi në listën fituese të një partie të madhe, të gjitha votat në qarqe të një partie të vogël do të shkojnë për aleatin e madh. Kjo duket si mundësia e vetme që të vegjlit të kenë, mundësisht edhe një deputet në Kuvend. Ky plan duket se u konsumua edhe në takimin e kryeministrit Berisha me aleatët e tij. Drejtuesit e partive të koalicionit qeveritar, PDK, PR, PBDNJ, PAA, PBLD dhe PBDNJ zhvilluan të hënën pasdite një takim me kryeministrin Sali Berisha, ku diskutuan mbi reformën zgjedhore. Në këtë takim, që zgjati për rreth një orë, është diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe në veçanti mbi sistemin zgjedhor që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të vegjlit
Mungesa e alternativave shtesë me sistemin proporcional rajonal ka vënë në lëvizje partitë e vogla. Ditën e djeshme tryeza e tyre me ekspertë dështoi për faktin se nuk u gjetën ekspertët e përshtatshëm për të interpretuar rrugët praktike të sistemit. Gjithsesi, disa kryetarë të partive të vogla parlamentare kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e misionit të Bashkimit Europian për asistencë gjyqësore në Shqipëri, EURALIUS, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre përsa i përket reformës zgjedhore dhe kërkesave për ndryshime në Kushtetutë. Në këtë takim PR-ja përfaqësohej nga deputeti Artur Hasanbelliu, LSI-ja nga deputetët Spartak Braho dhe Ndre Legisi, PAD-ja nga kryetari i saj, Neritan Ceka, PDK-ja nga sekretari Organizativ, Ndue Shpani. Përfaqësuesit e partive të vogla shprehën shqetësimin e tyre veçanërisht për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD-ja përsa i takon zgjedhjes së Presidentit të Republikës, mandatit të prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshimi në mocionin ndaj kryeministrit, si dhe ato të propozuara nga PS-ja për reformën zgjedhore.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›