E Diel, 1 Nëntor 2026

Bamir Topi: Vendimi im ishte kushtetues

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas një heshtjeje të gjatë, dje ka bërë komentin e tij të parë mbi ligjin e "Dosjeve", i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Në qëndrimin e tij, kreu i shtetit nuk ndjehej fare i penduar pse nuk hodhi firmën e tij mbi ligjin e "Dosjeve". "Ligjet nuk diskutohen mbi vullnete individuale, por në bazë të pozicioneve që ke në institucionet përkatëse", theksoi Topi. Në këtë formë, ai u kujtoi të gjithëve se ai ligjin e ka shqyrtuar si President i Republikës në pozicion shumë institucional, ndaj dhe vendimet nuk mund të komentohen. Presidenti vlerësoi se vendimi i tij ka qenë i qartë dhe i ekspozuar me të drejtën kushtetuese që ka kreu i shtetit. Topi shtoi se vendimi i tij ka ardhur në proporcion të drejtë me qëndrimet e të gjitha institucioneve dhe faktorëve të tjerë politikë. "Të cilët, u shpreh Presidenti, tashmë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe duke respektuar Kushtetutën". Kjo është hera e parë që kreu i shtetit flet për ligjin e "Dosjeve" pas debateve të shumta politike dhe kritikave ndërkombëtare që janë bërë rreth tij. Vetëm pak ditë më parë, kreu i shtetit, teksa media i kërkonte një opinion mbi ligjin e "Dosjeve" preferoi t‘i përgjigjej me heshtje. Qëndrimet e mësipërme, Topi i bëri në takimin e djeshëm me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Türk. Ky i fundit konfirmoi se Sllovenia nuk do ta pengojë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Presidenti slloven garantoi se vendi i tij mbështet edhe aspiratën tjetër të Shqipërisë për liberalizimin e vizave me BE-në, dhe kjo është një shprehje natyrale e qytetarëve shqiptarë për të lëvizur lirisht në Evropë dhe ky është një element përbërës i rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të saj në BE. Sakaq, Presidenti Topi dha vlerësime pozitive për ecurinë e reformave në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›