Të përndjekurit padisin Kushtetuesen
Ish të përndjekurit politikë padisin Gjykatën Kushtetuese në Strasburg. Pezullimi i ligjit të lustracionit ka vënë në lëvizje ish të dënuarit e regjimit komunist për të përgatitur padinë që do të ngrihet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Lajmi është konfirmuar nga Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, e cila kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit. Përplasja e qeverisë, politikës dhe institucioneve për ligjin e "Dosjeve", pritet të mbërrijë kështu edhe në instancat më të larta të ndërkombëtarëve, në Strasburg. "Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtij vendimi, ne mbetemi vendi i vetëm i Evropës që nuk është ndarë nga krimet e komunizmit", u shpreh dje Bedri Blloshmi, në emër të Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë. Ai bëri me dije se të përndjekurit do t‘i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime, "të cenuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pezulloi ligjin e lustracionit". Të persekutuarit e regjimit komunist renditen në këtë mënyrë kundër vendimit të gjykatës më të lartë në Shqipëri e cila pezulloi ligjin që pengon ish-zyrtarët që i kanë shërbyer komunizmit të vazhdojnë profesionin 18 vjet pas rënies së diktaturës. Përfaqësuesi i Shoqatës së të Përndjekurve, Bedri Blloshmi, sqaroi se padia ndaj Kushtetueses është duke u hartuar nga një grup avokatësh, ndër më të njohurit në vend. Sipas tij, "me të drejtat legjitime të ish të përndjekurve nuk mund të tallet më as Fehmi Abdiu dhe as Partia Socialiste, trashëgimtarja e Partisë së Punës". Në fjalën e tij, Blloshmi, i cili është vëllai i poetit të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi, bëri me dije se gjatë këtyre 18 viteve, ajo pjesë e popullsisë e cila ka qenë e përndjekur nga regjimi komunist ka pritur reagimin e institucioneve të shtetit për të kontribuar në vendosjen e paqes sociale në vend dhe për të kuruar plagët e së shkuarës, duke mos i lënë vend revanshit dhe vazhdimit të diskriminimit të të drejtave. Ish të persekutuarit pohojnë se i njohin persekutorët e tyre dhe i dinë krimet që kanë kryer. "Jemi ende gjallë dhe asnjë vendim i standardeve të sigurimit të shtetit nuk do të na ndalë të bëjmë zbardhjen e krimeve të tyre. I njohim persekutorët", nënvizoi Blloshmi. Sipas tij, "gjyqtarët kriminelë që duhet të ishin para drejtësisë për krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk e kanë vendin në Gjykatën Kushtetuese". Shoqata e të Përndjekurve këmbëngul që prokurorët që kanë dhënë pretenca me pushkatim, varje në litar, burgosje politike apo internime, nuk kanë vend në institucionet e shtetit të së drejtës. "Ne nuk do të tërhiqemi nga përballja jonë me mbeturinat e atij sistemi, sikurse nuk jemi tërhequr për asnjë moment edhe kur diktatura na vriste, burgoste dhe internonte", vijon më tej deklarata e ish të përndjekurve politikë. Në këtë drejtim, ish të përndjekurit shprehen se do të përshkallëzojnë qëndrimet e tyre në një protestë paqësore, e cila do të organizohet gjatë javës së ardhshme, para Gjykatës Kushtetuese. Të përndjekurit e paralajmërojnë protestën e tyre kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të gjykojnë sërish sot, 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe kundër vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi.