E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamir Topi “braktis” 3 muaj Presidencën



Presidenti Bamir Topi është detyruar që të “braktisë” selinë e Presidencës të paktën për tre muajt e ardhshëm. Shkak është bërë restaurimi që po i bëhet ndërtesës së Presidencës. Kjo ka bërë që prej 4 ditësh i gjithë stafi i kryetarit të shtetit të zhvendoset nga selia aktuale në atë drejt vilës nr. 4, shumë pranë Pallatit të Brigadave. Vila ku po akomodohet Presidenti Topi dhe stafi i tij, ishte planifikuar për të jetuar familja presidenciale, por që në momentin e zgjedhjes së tij në krye të shtetit, z.Topi refuzoi ta bënte një zgjedhje të tillë. Ai preferoi të banojë në vilën private në periferi të kryeqytetit. Kjo bëri që vila 4 të gjendet bosh dhe për 3 muajt në vazhdim do të kryejë funksionin e Presidencës. Ndërtesa e Presidencës do të restaurohet përmes dy fazave, ku e para do të jetë lyeja e fasadës së jashtme, ndërsa faza e dytë ka të bëjë me rregullimin e brendshëm. Periudha kohore e restaurimit të godinës pritet të zgjasë afro 3 muaj. Ndërtesa është ndërtuar nga rusët gjatë kohës së marrëdhënieve të mira Shqipëri-Rusi, por që nuk arriti të funksionojë si ambasadë e Rusisë për faktin se në vitin 1960 kur dhe u ndërtua, u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›