Bumçi: Nuk lejojmë arkivimin e “spiunëve”
Demokratët nuk do të lejojnë arkivimin e “spiunëve, ndaj projektligji për ish-sigurimsat e shtetit, është ndër të parët që do hapë punimet e reja të Kuvendit. Nisja e aktivitetit parlamentar të hënën, më 1 shtator, rikthen në skenën politike çështjet e mbetura pezull nga sesionin e kaluar. I shumëpërfoluri projektligj për pastërtinë e figurës, ose thënë ndryshe për spiunët, do të jetë një ndër të parët drafte që do shqyrtojë Komisioni parlamentar i Ligjeve. Relatori demokrat në këtë komision i këtij projektligji, Aldo Bumçi, deklaroi dje se brenda shtatorit ai do t’i kalojë për miratim Kuvendit, tashmë kur opozita ka reflektuar. Sipas tij mbështetja e të majtëve është e garantuar, por dhe në rast të kundërt, mazhoranca nuk ka ndërmend të arkivojë një ndër draftet me të përfolura në historinë parlamentare të Shqipërisë. Sipas Bumçit, i cili është dhe hartuesi i variantit përfundimtar të tre drafteve për dosjet, baza ligjore tashmë është gati. Projektligji u pezullua në një ndër mbledhjet e fundit të Komisionit të Ligjeve, opozita braktisi sallën, pas vërejtjeve te saj për opsionin Bumçi.