Berisha, akuza ministrave për bllokimin e licencave
Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje disa ministra të kabinetit qeveritar se po mbajnë peng licencat. Këtë akuzë Berisha e bëri në mbledhjen e djeshme të Task Forcës për reformën rregullatore, ndërsa kërkoi që të mos pengohet më tej procesi i reformimit të sistemit të licencave. Në këtë mbledhje u diskutua për aktet nënligjore që duhet të ndërmerren për heqjen e dy të tretave të lejeve të licencave në mbarë vendin si dhe nisjen e punës për etapën e dytë: transferimin e lejeve dhe licencave të mbetura në sistemin One Stop Shop. Kryeministri theksoi se me legjislacionin e ri, që po përgatitet për lejet dhe licencat, do të aplikohet në të gjitha rastet parimi “Heshtja është pranim”. Pasi vlerësoi punën e bërë deri më tani, të raportuar në këtë takim nga ministrat, Kryeministri Berisha theksoi se duke ndjekur praktikën më të përparuar ndërkombëtare dhe shembullin e krijimit të qendrës së biznesit, licencat e mbetura do të kalojnë në One Stop Shop. Kryeministri theksoi gjithashtu se me legjislacionin e ri, që po përgatitet për lejet dhe licencat, do të aplikohet në të gjitha rastet parimi “Heshtja është pranim”. Në fund të këtij takimi u rezultua se së shpejti do të përfundojë lista e plotë e licencave, e cila do të bëhet menjëherë publike.