Qeveria dënon Rusinë për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë
“Moska, komprometim përpjekjeve të bashkësisë”
Basha: Moska të rishikojë vendimin e njohjes
Tirana zyrtare dënoi dje vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Ajo i kërkon Moskës që të rishikojë këtë vendim pasi po komprometon përpjekjet e ndërkombëtare për një zgjidhje sa më të drejtë. Sipas diplomacisë shqiptare, ky hap i Moskës është i pajustifikueshëm, i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të votuara edhe nga vetë Rusia. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme hodhi dje poshtë me vendosmëri çdo përpjekje për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. “Argumente të panumërta historike, shkencore e juridike dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben e as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij”, - thuhet në deklaratë. Më tej diplomacia shqiptare e drejtuar nga ministri Lulzim Basha shton argumente të tjera kundërshtuese ndaj vendimit të Rusisë për njohjen e dy republikave.
Në reagimin e Tiranës zyrtare më tej bëhet ditur se “duke mbështetur shkëputjen nga Gjeorgjia të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, ndërkohë që në rastin e pavarësimit të Kosovës mbrojti të kundërtën, Moska po komprometon përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë, realiste dhe të qëndrueshme të konflikteve”. Nisur nga faktet e mësipërme, Ministria jonë e Punëve të Jashtme shpreh mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Diplomacia shqiptare i bashkohet thirrjes drejtuar Moskës zyrtare që, në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të sigurisë evropiane, të rishikojë vendimin e saj për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, pasi vetëm kështu i kontribuohet paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.