E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK, Stani: Shteti po na largon nga administrata



PDK-ja përmes sekretarit politik, Lazer Stani, akuzoi dje segmente të caktuara të shtetit dhe zyrtarë të lartë të PD-së se prej më shumë se një viti janë përfshirë në një fushatë të errët për të likuiduar politikisht këtë parti. Kjo, sipas z.Stani, edhe pse PDK-ja bën pjesë në mazhorancën qeverisëse dhe është parti e mirëfilltë e qendrës së djathtë, siç janë në të gjithë Europën partitë demokristiane dhe kristiandemokrate. Shqetësimi kryesor i PDK-së është presioni që po bëhet për largim nga puna të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë vetëm se ata kanë bashkëpunuar me z.Ndoka. Stani argumentoi se ky agresivitet ndaj PDK-së dhe përfaqësuesve të saj, madje edhe kundër individëve që dyshohen si mbështetës të PDK-së, është shtuar sidomos pas përpjekjeve të dështuara për të përçarë dhe likuiduar politikisht PDK-në dhe për të emëruar në vend të saj një PDK me individë të zgjedhur në zyrat e PD-së. “Ende pa vënë mirë këmbët në Ministrinë e Shëndetësisë, ministrja e re, largoi në mënyrë të paligjshme disa prej zyrtarëve dhe nëpunësve civilë më të lartë të kësaj ministrie si dhe janë vënë në shënjestër edhe me dhjetëra punonjës të shërbimit civil dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, vetëm e vetëm pse ata kanë bashkëpunuar me kryetarin e PDK-së, z. Nard Ndoka për reformimin e sistemit shëndetësor”, - u shpreh z.Stani. Ai shtoi se këtyre zyrtarëve dhe nëpunësve të shërbimit civil u bëhen presione për dorëheqje, dhe kur kjo refuzohet, u bëhen kërcënime nga më të ndryshmet, në kundërshtim të hapur me ligjin. Sekretari politik i PDK-së akuzoi se “SMS-të e dërguara nga ministrja edhe gjatë fundjavave, ku u kërkohet dorëheqje zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesve te institucioneve, janë një ogur i keq për reformën në shëndetësi dhe shprehin një mentalitet primitiv në qeverisje. Në kushte të tilla PDK-ja i kërkon partisë në pushtet dhe Kryeministrit Berisha të mos përdorë pushtetin kundër një partie politike legjitime, të cilën me gojën e tij e ka quajtur nëntë muaj më parë në përvjetorin e themelimit të PDK-së, “parti të vlerave njerëzore dhe hyjnore” dhe e vlerësoi lart kontributin e saj për demokracinë, qeverisjen e vendit dhe reformat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›