E Diel, 1 Nëntor 2026

Bamir Topi dekoron vëllain e tij Flamurin me urdhrin Mjeshtër i Madh

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar vëllain e tij, Flamur Topi me urdhrin Mjeshtër i Madh. Ky urdhër i është dhënë doktorit për kontributin e tij të çmuar në edukimin shëndetësor dhe informimin shkencor mjekësor të publikut, si drejtues i emisionit Trupi dhe Shëndeti, që transmetohet në televizionin publik, ku ai mbushi këtë vit plot 40 vjet në ekran. Për këtë arsye, me propozim të drejtorisë së Televizionit Publik, presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili është edhe vëllai i doktor Topit, e dekoroi atë me urdhërin Mjeshtër i Madh. Një vendim, që siç dëshmuan të pranishmit gjatë ceremonisë në studion e emisionit, nuk ka qenë i lehtë për presidentin e Republikës. Por, pavarësisht lidhjes familjare, 40 vjet në televizion për doktor Flamur Topin, e bëjnë emisionin Trupi dhe Shëndeti emisionin më jetëgjatë në historinë shqiptare të televizioneve. Motivacioni i urdhrit Mjeshtër i Madh vinte në dukje pikërisht punën e përkushtuar shumëvjeçare e plot pasion e profesionalizëm të doktor Topit, që duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin shëndetësor dhe informimin shkencor-mjekësor të publikut, e bëri atë një figurë të njohur e të dashur për çdo shqiptar. Flamur Topi është mjek i përgjithshëm dhe gjatë këtyre 40 viteve në emisionin e tij ai ka trajtuar probleme nga më të ndryshmet të shëndetit. Gjithashtu ai është autori i librit "Gara e jetës, libër me tregime dhe novela fantastiko-shkencore. Ndërkohë ditën e djeshme, presidenti Bamir Topi ka dekretuar edhe disa ligje të tjera të rëndësishme. Një tjetër ligj i dekretuar ka qenë edhe ai për Titujt e pronësisë mbi tokat bujqësore. Ky ka qenë i vetmi ligj, për të cilin në seancën e fundit parlamentare janë dhënë disa sqarime nga mazhoranca. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, garantoi se verifikimi i titujve të ndara në fillim të 1990-s nuk ka për qëllim ndëshkimin, por kthimin e së drejtës tek individi. Miratimi i ligjit mori maksimumin e votave, duke legjitimuar zgjatjen e afatit për verifikimin e titujve të pronësisë, të ndara sipas Ligjit 7501. Gjithashtu, presidenti Topi ka dekretuar dhe disa ligje të tjera, ndër të cilat; Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr, 2, datë 08.04.2009, të Këshillit të Ministrave Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, për kontributin e burimeve për misionin e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Çadit (Minurcat), Për shëndetin publik, ligjin Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension, ligjin Për krijimin e Qendrës së Panaireve dhe të Ekspozitave Tregtare, ligjin Për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, ligjin Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, ligjin Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ligjin Për gjendjen civile, si dhe ligjin Për tregtinë elektronike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›