E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton kuadër ligjor për mbështetjen e grave

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar rritjen e përfaqësimit të gruas në vendimmarrje brenda katër viteve të ardhshme. Gjatë fjalës së tij në forumin e grave demokratike, kreu i shtetit ka prezantuar programin e partisë që drejton, për gruan, duke nënvizuar mbështetjen që qeveria do ti japë veprimtarisë së kësaj gjinie. Duke theksuar angazhimin në fushatën elektorale, u shpreh se askush më shumë se sa gratë nuk mund të kontribuojë dhe përkushtohet për fitoren e maxhorancës aktuale. "Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e rritjes dhe zhvillimit të vendit. Brenda mandatit tim do të përcaktoj kuadrin ligjor, për t'i mbështetur gratë në punësim, në hapjen e biznesit, në përfaqësimin e tyre në instancat më të larta", u shpreh Berisha. Kryeministri mbështet barazinë gjinore, ndërsa theksoi se në mandatin e ardhshëm, qeveria e tij do të ketë tolerancë zero për dhunën ndaj gruas. Ndër të tjera kreu demokrat bëri të ditur se qeveria do të bëjë të mundur përcaktimin e kuadrit të ri ligjor për të mbështetur gratë që për një arsye apo për një tjetër kanë mbetur kryefamiljare. Brenda këtij mandati do të përcaktojmë kuadrin e ri ligjor për ti mbështetur gratë kryefamiljare në të gjitha nevojat e tyre, të familjes dhe fëmijëve. Dinjiteti i gruas shqiptare nuk mund të preket. Në katër vitet që vijnë, ne së bashku do të shohim një Shqipëri tjetër, e cila do të ketë një infrastrukturë më moderne nga jugu në veri, një Shqipëri tërësisht europiane, deklaroi Berisha përpara grave demokrate. Duke folur për mbështetjen që programi i PD ka për gratë, kreu i qeverisë deklaroi se do të garantohen kredi të buta për gratë biznesmene, në mënyrë që siç tha Berisha, ato të bëjnë një histori suksesi me biznesin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›