Nga 30 maj, vetëm personat pa pasaportë aplikojnë për karta
Duke filluar nga data 30 maj e deri në fund të muajit qershor, kompania koncensionare Aleat, që zbaton projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike të identitetit në Shqipëri, nuk do të lejojë kryerjen e procedurave të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve për shtetasit që zotërojnë pasaportë për jashtë shtetit dhe të gjitha kapacitetet teknike do të fokusohen në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm të shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë.
Ky vendim është marrë gjatë takimit të zhvilluar mes kryeministrit Sali Berisha dhe drejtuesit të konsorciumit Aleat. Ndër të tjera është rënë dakord që edhe në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të prodhuara gjer më tani, prioritet do ti jepet kësaj kategorie shtetasish. Për të siguruar një zbatim efikas të këtij prioriteti, qeveria dhe kompania konçesionare do bëjnë thirrje publike për ndërgjegjësimin e publikut. Në takim u ra dakord edhe për optimizimin e mëtejshëm kapaciteteve për aplikim dhe shpërndarje të qendrave të aplikimit në funksion të nevojave të procesit. Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve e për rrjedhojë rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u ra dakord që orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar deri më tani. Ndër të tjera, kryeministri Berisha theksoi se ky angazhim do të monitorohet me seriozitet maksimal dhe se nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile që do të lejojnë pajisjen me letërnjoftim të personave që zotërojnë pasaportë, do të përballen me masa disiplinore