Banka Shqiptare mban të pandryshuar normën bazë të interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit ka marrë në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind. Megjithëse disa të dhëna ekonomike të muajve të fundit sugjerojnë për frenimin e dimensioneve të krizës ekonomike botërore, pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme mbetet ende e lartë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, të ecurisë aktuale dhe të pritshme në inflacion si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendimi do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend. Ai siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky qëndrim mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rregulloren Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre. Kjo rregullore vë theksin në përgjegjësitë dhe detyrat e rëndësishme që strukturat drejtuese të bankave kanë për sigurimin që institucionet e tyre të operojnë në mënyrë të sigurt dhe të shëndoshë. Rregullorja e miratuar është një plotësim i rregullores ekzistuese ku përcaktohen kriteret bazë për një drejtim të përgjegjshëm dhe efektiv të bankave dhe degëve të bankave të huaja, kriteret që duhet të plotësojnë administratorët e bankave dhe degëve të bankave të huaja, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për miratimin e tyre nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, kjo rregullore përcakton kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm në rastin e lidhjes së marrëveshjeve me të tretët për ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive në lidhje me administrimin dhe drejtimin e bankës.