E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton se do i pajisë me karta 400 mijë personat që rrezikojnë të mos të votojnë

Kryeministri paralajmëron penalizime për punonjësit e gjendjes civile
Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha ka pranuar faktin se, edhe nëse do të jenë rreth 400 mijë persona të pa pajisur me karta identiteti, kapaciteti i instaluar i kompanisë Sagem për kohën e mbetur deri në zgjedhje, është i aftë të përballojë një numër të tillë aplikimesh. Duke u ndalur në numrin e qytetarëve, që mund të jenë ende pa pasaporta, kryeministri përmendi kalkulimet e bëra, sipas së cilave ata nuk mund të jenë më shumë se 60 mijë, maksimumi deri në 100 mijë persona. Për ti dhënë përparësi dhe një mundësi specifike këtyre shtetasve, që të pajisjen karta identiteti deri në ditën e zgjedhjeve, kompania Sagem, ka ndërmarrë përsipër ndërprerjen e aplikimeve për personat me pasaportë. Por, kapaciteti i instaluar i kompanisë, për kohën e mbetur deri në zgjedhje, është për rreth 400 mijë aplikime. Me qëllim që përparësi absolute dhe e vetme të jenë qytetarët pa pasaportë, do të ndërpriten aplikimet e tjera. Ne ramë dakord me kompaninë që, për të përjashtuar çdo lloj problematike, qoftë edhe minimale, me zgjedhësit që janë pa pasaportë dhe që duhet të pajisen me letërnjoftime, kompania merr përsipër të ndërpresë të gjitha veprimet me personat e pajisur me pasaporta. Pra, ajo merr përsipër të ulë vëllimin e punës së saj, pasi  800 punonjësit e angazhuar në të gjitha pikat e aplikimit, janë të përllogaritur për një normë pune 8 orësh të plotë, tha kryeministri, duke vlerësuar se kompania e bën këtë me qëllimin më të mirë që asnjë qytetar që dëshiron të aplikojë, të mos mbetet pa aplikuar për shkaqe kohe, apo shkaqe të tjera teknike. Gjithashtu, kryeministri theksoi se kompania, po në interes të këtij procesi, merr përsipër që ta ndajë orarin e punës në dy turne, paradite deri në orën 1 dhe pasdite nga ora 5 deri në orën 9 të darkës. Nisur nga situata e krijuar kohët e fundit në vendin tonë, ku Partia Socialiste kërkoi me këmbëngulje numrin e qytetarëve pa pasaportë, dhe shprehu shqetësimin për manipulim të zgjedhjeve nisur nga fakti i mospajisjes së gjithë shtetasve shqiptarë me karta identiteti, kreu i qeverisë ka deklaruar se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftim elektronik ka hyrë në fazën finale. Jemi në prag të një realizimi të shkëlqyer të këtij projekti, nënvizoi Berisha duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës për dështimin e tij. Duke u ndalur në qëndrimin e së majtës ndaj këtij procesi, kryeministri tha se opozita ka shqetësimet e veta. Ne e garantojmë atë për një proces tërësisht transparent dhe opozita është e ftuar të studiojë kapacitetin ekzistues i cili është i jashtëzakonshëm, theksoi ai.
Penalizimet
Kryeministri ka paralajmëruar zyrat e Gjendjes Civile që ti japin përparësi personave pa pasaportë, në të kundërt do të këtë penalizime. Në funksion të këtij procesi, kreu i qeverisë i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe gjithë prefektëve të vendit që të ushtrojnë format më të rrepta të kontrollit mbi punonjësit e gjendjeve civile, të cilët nuk duhet të pajisin me kartë identiteti asnjë qytetar me pasaportë. Çdo thyerje e këtij vendimi do të përbëjë ndëshkim ligjor, qoftë për punonjësit e gjendjes civile, qoftë për punonjësit e prefekturës, të ngarkuar për kontrollin e tyre. Toleranca do të jetë zero në këtë drejtim. Kur vet kompania merr përsipër të zvogëlojë në përmasa të panjohura vëllimin e punës së saj, vetëm në interesin e procesit, atëherë zyrtarët e këtij vendi duhet të përgjigjen me gatishmëri më të plotë, vijoi ai. Kryeministri siguroi vëmendjen e plotë të qeverisë për mbarëvajtjen e procesit. Për këtë proces, qeveria ime është e gatshme të bëjë çdo dekret-ligj që i shërben transparencës së këtij procesi. Prandaj dua tju kërkoj në mënyrë njerëzore të gjithë punonjësve të gjendjeve civile, që me seriozitetin më absolut dhe në interesin më të mirë të këtij procesi, të mos mundësojnë asnjë kërkesë për letërnjoftim, nga qytetarë që kanë pasaportë, deri në datën 1 korrik dhe të bëjnë çdo përpjekje për të lehtësuar veprimtarinë e qytetarëve që nuk kanë pasaportë, theksoi Berisha. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që, në interesin më të mirë të tyre, të aplikojnë për të marrë letërnjoftimet. Ai u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të marrin letërnjoftimet e prodhuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›