“Bamir Topi, kamxhik i Edi Ramës - përdhosi postin me veprimet e kryera”

Reagimi zyrtar i Partisë Demokratike
Partia Demokratike reagoi mesditën e së martës, pas akuzave të Presidentit të Republikës, duke e cilësuar këtë të fundit "përdhosës të institucionit të Presidencës, dekorues të persekutorëve dhe kamxhik të Edi Ramës".
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Edi Paloka ngriti një seri akuzash ndaj Kreut të shtetit, duke kërkuar prej tij të sqarojë demokratët për votën e dhënë për Edi Ramën, më 8 maj.
"Sa herë ka pasur detyrimin të fliste ka heshtur, ky quhet Bamir Topi. Për ata që nuk e dinë, duhet të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve, meqë më në fund vendosi të flasë, duhet t’u shpjegojë demokratëve që e votuan për të përfaqësuar shqiptarët, si Kryetar Shteti e jo si Spahi", thuhet në deklaratën e Palokës.
"Më 8 maj e votove Ramën për shkak të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, në trojet e së cilëve po ngrenë sarajet Koçoja, Besoja dhe Fideli, e të tjerë ‘tironca të vjetër’ apo e votove kryetarin e partisë së Enver Hoxhës, (partisë së persekutorëve që dekretove për katër vjet në krye të prokurorisë e gjyqësorit), për të përmbushur një amanet të të përndjekurve politikë?", vijon deklarata.
Sipas saj, "Topi është kamxhiku i Ramës, njeriu që përdhos institucionin e presidentit kur betohet për shenjtërinë e pronës dhe vetë e vjedh atë, kur qan të përndjekurit, por voton persekutorët, duke keqpërdorur karrigen për pazare dhe sevape personale".
Një ditë më parë kryeministri Sali Berisha ishte shprehur se presidenti kishte refuzuar të dekretonte ligjin që sipas tij do të zbardhte të vërtetat e komunizmit.