E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabit Brokaj: Propozuam ligjin se qeveria po ngurronte

18/10/2004  Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sabit Brokaj, tha për "Metropol" se "projektligji për konfliktin e interesave, hartuar nga ekspertë juristë të kësaj force politike synon të parandalojë konfliktin e interesave publike dhe private të përfaqësuesve të administratës shtetërore në të gjitha nivelet". Brokaj shprehet se shkak për këtë nismë ka qenë kërkesa e vazhdueshme që institucionet ndërkombëtare kanë bërë në aderesë të shtetit shqiptare. Sipas tij, "nisur nga fakti që ky ligj ende nuk është paraqitur, ne përgatitëm draftin me një grup ekspertësh juristë, të cilin e paraqitëm në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të qenë korrekt dhe për të realizuar një kërkesë për integrimin e vendit në strukturat evropiane". Brokaj thekson faktin se ky draft vë në pozicione të barabarta një pushtetar me qytetarin e thjeshtë, lidhur me interesat private. "Vendimmarja për secilin interes përgjithësisht, këtu kuptojmë interesa pasurore, financiare, të emërimeve etj., janë në dorë të administratës së shtetit. Në qoftë se nuk do të kishte një ligj parandalues, në kuadër të interesave të mpleksjes së këtyre, qofshin publike dhe private, s'do bënte gjë tjetër veçse do të përjetësonte korrupsionin, që do të thoshte të kishte një shtet përherë në krizë", shprehet kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së. Ndërkohë, ai fton parlamentarët që të miratojnë këtë projekt, pasi ka në qendër "interesat themelore për shtetin shqiptar dhe të qytetarëve të tij. Në qoftë se një ligj i tillë do të kalonte, unë gjykoj se shumica dërmuese e parlamentit do ta miratonte", tha Brokaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›