Kthehet kriza për balancimin e KQZ
18/10/2004 Reforma e Kodit Zgjedhor ka hyrë sërish në krizën mes diskutimeve të Partisë Socialiste dhe të demokratëve. Ndërsa PD ka shprehur dyshimin për vullnetin e PS-së, pas kërkesës së diskutimit më parë të listës së zgjedhësve, socialistët thanë se gjithçka është pjesë e kalendarit. "Ne kemi dy projektligje, atë për KQZ dhe atë për listat. Prandaj, ne duhet t'i miratojmë njëkohësisht që të dy. Nëse e lëmë projektligjin për KQZ, për paketën e Kodit Zgjedhor, atëherë ne nuk kemi për ta miratuar atë", tha Beja në Komisionin e Ligjeve. Ndërsa, duke shprehur dyshimet e tij, Beja tha se PS po fillon prap lojën që u nis edhe në Komisionin Bipartizan. "Pra, doni të kaloni njërin dhe jo tjetrin. Të fusin në procedrat parlamentare KQZ-në dhe që të dyja të kalojnë në Kuvend. Por, PS sërish po kërkon të mënjanojë KQZ-në", tha Beja. Ndërsa Mediu tha se të dy amendamentet janë shumë të rëndësishme dhe që lidhen me njëri-tjetrin. ndaj ai tha se nuk e kupton përse duhet të votohen të ndara nga njëra-tjetra. Në argumentin e tij, përfaqësuesi i PS-së, Elmaz Sherifi, tha se "procedurat parlamentare për problemin e listave kanë gati dy javë që kanë filluar. Pra, amendamenti për listat është pjesë e kalendarit. Ndërsa ai për KQZ-në nuk është bërë ende pjesë e kalendarit, pasi për të duhet të vendosë Byroja. Prandaj, ne nuk kemi arsye për t’u vonuar, por duhet që të fillojmë sa më parë nga puna. Të miratojmë listat dhe pastaj të vijojmë me shqyrtimin e projektligjit për KQZ-në". Gjithsesi në seancën e mbasdite është vendosur që Komisioni i Ligjeve të kalojë për miratim të dy draftet.