“O Bamir, o tradhtar, dil përjashta o zagar”
Presidenti humbet qetësinë në Shkodër, fyen Kryetaren e Kuvendit. Reagon Topalli: Haxhi Qamili s’e kupton dot gjuhën e Fishtës dhe Migjenit
Thirrja e djeshme e shkodranëve, në stadiumin “Loro Boriçi” ka detyruar presidentin e republikës, të braktisë ndjekjen e ndeshjes, në minutën e saj të 75-të
Kreu i Shtetit Bamir Topi ka dalë dje jashtë çdo etike protokollare të institucionit që përfaqëson, teksa nga qyteti verior i Shkodrës, ka fyer kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, i shtyrë nga shprehja e zemërimit të shkodranëve, gjatw ndeshjes Vllaznia – Tirana. Ky moment ka bërë që Presidenti i Republikës, të mos i mbajë emocionet, ndërsa s’ka kursyer lumin e akuzave ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, me të dalë jashtë dyerve të stadiumit. Në fakt, prezenca e Topit në stadium, u konsiderua provokim për vendasit, pasi siç dihet kreu i shtetit është ithtar i ekipit të Tiranës. Por edhe një fakt tjetër e shton dozën e pakënaqësisë së shkodranëve ndaj z.Topi, pasi të parët i kanë qëndruar heroikisht egërsisë komuniste për 45 vjet me radhë, ndërsa i dyti nga anti-komunist, ndoshta figurant, u kthye në shërbëtor të kulturës së bllokut. Thirrjet në kor: “O Bamir, o tradhtar, dil përjashta o zagar”, bënë që presidenti i republikës të lërë dyert e “Loro Boriçit” në minutën e 75 të ndeshjes, ndërsa menjëherë pas këtij momenti, zbarkoi lumin e akuzave dhe fyerjeve ndaj popullit shkodran, midis tyre edhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nisur nga situata politike e acaruar ditët e fundit, mbi përgjegjësitë e mazhorancës dhe opozitës rreth progres – raportit të Komisionit Evropian, në vallen e polemikave është përfshirë edhe kreu i shtetit, i cili për asnjë moment s’ka luajtur rolin e tij Kushtetues si unitar i shtetit, politikës dhe institucioneve, por më tepër është vënë në linjën e haxhiqamilistëve, kundër interesave të vendit dhe perspektivën Evropiane. I vënë në qendër të akuzave për apatinë e tij institucionale, pasi për shkak të bojkotit të Kuvendit dhe bllokimit të reformave nga Partia Socialiste Shqipëria humbi shansin e dytë brenda dy viteve për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, presidenti prej dy ditësh po udhëton nëpër Shqipëri në çoroditje të plotë dhe me dogmën e DumBabës në kokë, ndërsa në komunikimet me mediat humbet qetësinë dhe del jashtë çdo etike komunikimi, duke mos kursyer fyerjet ndaj mazhorancës, dhe veçanërisht kryetares së Kuvendit. “Së pari, këto zonja, apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër, ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”- tha ai. Por i menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në një deklaratë publike Topalli ka deklaruar se flet gjuhën shqipe të Fishtës e Migjenit, të cilën Presidenti në rolin e një haxhiqamilisti, s’mund ta kuptojë. “Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot”- reagoi kryetarja e Kuvendit. Shqetësimi i Topit është i kuptueshëm, por dalja tej vetes, është konfirmim për pjesën e tij të përgjegjësive në mos realizimin e detyrave të Brukselit edhe për këtë vit kalendarik. Për çdo shqiptar, të madh dhe të vogël, është e qartë në ditën për diell se Bamir Topi e ka shndërruar presidencën në një institucion që bllokon të gjitha nismat europianizuese në rolin e shërbëtorit të Edi Ramës.
...