Ban Ki Moon kërkon zgjidhje kompromisi për veriun e Kosovës

Vizitën në Beograd shefi i OKB-së, Ban Ki-Moon, e ka nisur me një takim plot emocione me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili e ka pritur në aeroport. Ban ka shprehur kënaqësinë e tij të madhe që Jeremiç do të kryesojë Asamblenë e Përgjithshme vitin që vjen.
Në Serbi, sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka zhvilluar të hënën bisedime në Presidencë dhe Qeveri, ku mesazhet kryesore që i ka marrë kanë pasur të bënin me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i ka thënë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se Serbia do të kërkojë që bisedimet me autoritetet në Kosovë nga tani të udhëhiqen me praninë e përfaqësuesit të OKB-së.
Nikoliç, sipas medieve serbe, ka thënë se OKB-ja duhet të ketë rol më aktiv në luftën për ruajtjen e parimit të së drejtës ndërkombëtare, integritetit dhe sovranitetit të shteteve anëtare të njohura ndërkombëtarisht dhe zbatimit të Rezolutës 1244.